Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ekzekutimin e 100 eurove për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret me fillimin e vitit të ri akademik.

E, pas vendimit të Qeverisë në detyrë kanë reaguar deputetët nga opozita, PDK dhe LDK, transmeton Telegrafi.


Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka shkruar se në kohë fushate, kujtohen për studentët."

"Në kohë fushate, kujtohen për studentët. I kuptoj studentët, shumë prej tyre kanë nevojë për ato 100 euro. Por ajo që dhemb, është arsyeja pse po jepen tani, në prag të zgjedhjeve. Sa poshtëruese", ka deklaruar Deliu.


Po ashtu, edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar 26 milionë euro, është kostoja e blerjes së votës nga ana e LVV-së.

"26 milionë Euro, kostoja e blerjes së votës nga ana e LVV-së. Prokuroria është vonu t'i nxjerrë nga zyra këta uzurpator që blejnë vota me taksa të qytetarëve. Kjo është skemë e korrupsionit publik. Qytetarët do t'i ndëshkojnë keqpërdoruesit me 12 tetor", theksoi ajo.

/Telegrafi/