Zyrtarë nga Komuna e Gjakovës vizitojnë Gjermaninë, në fokus siguria dhe emergjenca
Një delegacion nga Komuna e Gjakovës ka realizuar një vizitë dyditore në distriktin Aichach-Friedberg të Bavarisë, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe emergjencave.
Delegacioni ishte i udhëhequr nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Haxhi Sejdiu, koordinatori i Qendrës Emergjente Rajonale, Mhill Komani, dhe udhëheqësi i Sektorit për Siguri dhe Emergjenca, Pranush Komani.
Ata u pritën nga kryetari i distriktit gjerman, Peter Tomaschko, komandanti i zjarrfikësve, Christian Happach, si dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë lokalë.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, delegacioni nga Gjakova pati mundësinë të njihet nga afër me pajisjet moderne dhe praktikat profesionale të njësive gjermane të shërbimeve zjarrfikëse dhe emergjencave.
Ndër të tjera gjatë kësaj vizite u shkëmbyen përvoja në fushën e shërbimeve zjarrfikëse, emergjencave dhe ndihmës së shpejtë.






























