Zyrtare: Luciano Spalletti, trajner i Juventusit

Juventus ka njoftuar zyrtarisht emërimin e ish-trajnerit të përfaqësueses italiane, Luciano Spalletti, si trajneri i ri i klubit, pas shkarkimit të Igor Tudor në fillim të kësaj jave.
Spalletti, i cili gjithmonë ishte kandidati i parë i Juventusit për të zëvendësuar Tudor, ka nënshkruar një kontratë afatshkurtër deri në fund të sezonit 2025/2026, me një opsion për ta zgjatur atë nëse ‘Bianconerët’ kualifikohen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Sipas raporteve të fundit, Spalletti do të përfitojë një rrogë prej rreth 3 milionë eurosh deri në fund të kampanjës 2025/2026.
Juventus vendosi të shkarkojë Tudor pas vetëm tetë ndeshjeve të kampionatit 2025-26, duke u bërë klubi i parë në Serie A këtë sezon që mori një vendim të tillë ndaj trajnerit të tyre.
Luciano Spalletti è il nuovo allenatore della Juventus ⚪️⚫️
Benvenuto mister!
🗞️➡️https://t.co/JzQ2LwR2ZV pic.twitter.com/LpWc0ybkbs
— JuventusFC (@juventusfc) October 30, 2025
“Zonja e Vjetër” kishte kaluar tetë ndeshje pa fitore në të gjitha garat, me të fundit që erdhi në një fitore 4-3 ndaj Interit më 13 shtator dhe nuk kishte shënuar asnjë gol në katër ndeshjet e fundit nën drejtimin e Tudor. Ekipi gjithashtu kishte humbur tre ndeshje radhazi në fund të periudhës së tij.
Më së fundmi, Spalletti ka shërbyer si trajner i përfaqësueses italiane, por u shkarkua në fillim të verës pas një humbjeje 3-0 ndaj Norvegjisë në kualifikimet për Botërorin, gjë që e bëri pothuajse të pamundur për të përfunduar kampanjën e kualifikimeve në vendin e parë të grupit.
Para kësaj, në detyrën e tij të fundit në Serie A, Spalletti pati një përvojë shumë më pozitive si trajner i Napolit, ku fitoi titullin e Serie A për herë të parë në karrierën e tij në sezonin 2022/2023. Ai realizoi një mesatare prej 2.1 pikësh për ndeshje gjatë tre sezonëve me napolitanët./Telegrafi/


















































