Zyrtare: Llapi përforcohet në sulm, transferon Fiton Ademin

Llapi ka bërë goditjen e madhe në afatin kalimtar, duke njoftuar nënshkrimin e sulmuesit qendror, Fiton Ademi.
23-vjeçari i bashkohet Llapit nga gjiganti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, KF Shkëndija Tetovë.
Ademi ka një CV të pasur për moshën e tij, duke përfshirë paraqitje në garat evropiane dhe titullin kampion me Shkëndijën sezonin e kaluar.
Sulmuesi i ri pritet të luajë një rol kyç në objektivat e KF Llapit për këtë sezon.
Njoftimi i plotë i klubit:
Klubi Futbollistik Llapi me kënaqësi njofton angazhimin e sulmuesit të qendrës, Fiton Ademi.
23-vjeçari ka firmosur kontratë me klubin tonë, e cila do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2028, dhe nga sot zyrtarisht bëhet pjesë e familjes bardhekaltër.
Ademi vjen te Llapi si kampion nga radhët e klubit Shkëndija, me të cilën në edicionin e kaluar ka fituar titullin kampion. Gjatë periudhës së tij te Shkëndija, sulmuesi ka regjistruar 69 paraqitje zyrtare, duke realizuar 16 gola dhe 9 asistime.

Në sezonin e fundit, Fiton Ademi ka zhvilluar paraqitje në garat evropiane, duke luajtur në kualifikimet e UEFA Champions League, Europa League dhe Conference League – arritje të rëndësishme për një futbollist vetëm 23-vjeçar. Me këtë përvojë, Ademi vjen në klubin tonë si një përforcim me vlera të larta, i gatshëm të kontribuojë menjëherë në realizimin e objektivave tona.
KF Llapi i uron Fiton Ademit mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër. /Telegrafi/
















































