Zyrtare: Juventusi zgjat kontratën me Gattin deri në vitin 2030

Juventusi ka njoftuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me mbrojtësin Federico Gatti, i cili do të mbetet pjesë e klubit deri në verën e vitit 2030.
Në deklaratën e publikuar nga klubi, theksohet rëndësia e Gattit për skuadrën: “Cilësitë e tij, të kombinuara me vendosmërinë dhe aftësitë mbrojtëse të pamohueshme, e kanë bërë atë, ndeshje pas ndeshjeje, një pikë referimi për të gjithë”.
Që nga transferimi i tij nga Frosinone në vitin 2022, Gatti është rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke kaluar nga një alternativë e mbrojtjes në një titullar të padiskutueshëm.
Në sezonin e parë me Bianconerët, ai mori pjesë në gjysmën e ndeshjeve të Serie A, ndërsa në dy sezonet e fundit ka zhvilluar përkatësisht 36 dhe 46 paraqitje në të gjitha garat.
Roli i tij u bë edhe më i rëndësishëm sezonin e kaluar, kur mori përsipër përgjegjësinë në qendër të mbrojtjes pas lëndimit të brazilianit Bremer. Performancat e tij solide dhe qëndrueshmëria në fushë e kanë bindur klubin për të ndërtuar mbrojtjen rreth tij në vitet në vijim.
Me më shumë se 100 paraqitje tashmë me fanellën bardhezi dhe pesë vite të tjera të garantuara, Federico Gatti pritet të jetë një nga pikat kyçe të projektit të ri të Juventusit. /Telegrafi/


















































