Zvicër: Parlamenti i kantonit St. Gallen miraton ndalimin e shamisë për arsimtaret - imamët shqiptarë reagojnë me nervozizëm


Gazeta “St. Galler Tagblatt” e përshëndeti në një koment ndalimin e shamisë për mësuese. Komentatori theksoi se shkolla është vendi i gabuar për parada religjioze dhe përkujtoi se Gjykata Federale e Zvicrës që në vitin 1990 ka vendosur të ndalojë vendosjen e kryqit në klasat e shkollave zvicerane me argumentin se shkollat duhet të jenë neutrale sa i përket fesë.
Shumica e deputeteve dhe deputetëve të Parlamentit Kantonal të St. Gallenit ka miratuar të mërkurën një mocion, i cili do të çojë në ndalimin e mbajtjes së shamisë për mësueset. Ndalesa do të vlejë për mbarë kantonin.
Siç raportojnë mediat zvicerane, vendimi erdhi pas një debati të detajuar dhe të diferencuar në parlament, ku mocioni u votua me 70 vota pro dhe 46 kundër.
Shkaku kryesor që çoi në këtë lëvizje politike ishte një ngjarje e ndodhur vitin e kaluar në komunën Eschenbach të kantonit të St. Gallenit. Atje, një grup prindërish kundërshtuan punësimin e një mësueseje të re, e cila dëshironte të jepte mësim duke mbajtur shaminë. Autoritetet shkollore vendosën të mos e lidhnin kontratën e punës me të.
Përgjegjësja për arsim e kantonit, Bettina Surber nga Partia Socialdemokrate, vuri në dukje se rregullimi i ri do të krijojë siguri juridike - si për mësuesit e ardhshëm, ashtu edhe për drejtorët e shkollave. Megjithatë, ajo shtoi se zbatimi praktik i këtij ligji pritet të nxisë ende shumë diskutime dhe se ka shumë gjasa që ky vendim të kalojë në të ardhmen edhe përmes një rishikimi apo verifikimi gjyqësor.
Kundër vendimit për ndalimin e shamisë në shkolla për arsimtaret myslimane kanë reaguar disa imamë shqiptarë.
Bekim Alimi, i cili në opinionin zviceran prezantohet si imam liberal dhe drejton një xhami në qytetin e Wilit në Zvicrën lindore, në një postim në rrjetet sociale akuzoi autoritetet zvicerane se po synojnë t’i largojnë myslimanët nga hapësira publike.
Ai shkroi se “gjithnjë e më shpesh, një shumicë vendos për një pakicë, dhe kjo kryesisht në formën e ndalimeve. Ndalimet e njëpasnjëshme synojnë të ‘edukojnë’ një pakicë të caktuar ose ta zmbrapsin atë nga hapësira publike. Fillimisht minaret. Pastaj kufizime të tjera. Tani shamia për mësueset. Pyetja ime ‘me vlerë prej një milion frangash’ është: Cili do të jetë vallë ndalimi i radhës?”
Pak a shumë në këtë drejtoi tentoi të argumentojë edhe Mehas Alija, një imam nga qyteti i St. Gallenit, i cili prej vitesh po përpiqet të mbledhë para për të ndërtuar një xhami në këtë qytet të Zvicrës lindore.
Ky objekt parashihet të kushtojë rreth 15 milionë franga, ndonëse ende nuk ka marrë leje ndërtimit. Lidhur me ndalimin e shamisë për arsimtare, Alija shkroi në rrjetet sociale: “Pyetja që mbetet e hapur nuk është vetëm juridike, por edhe morale dhe shoqërore: a do të arrijë Zvicra të ndërtojë një model ku qytetarët me identitete të ndryshme mund të marrin pjesë plotësisht në jetën publike, pa u detyruar të heqin dorë nga pjesë të rëndësishme të bindjeve dhe identitetit të tyre?”
Mehas Alija në të kaluarën ka qenë edhe kundër ndalimit të burkës në Zvicrës, e cila maskon krejt fytyrën e grave dhe i anonimizon ato krejtësisht në jetën publike. Në një intervistë për portalin albinfo.ch në vitin 2021 ai tha se nuk ishte i kënaqur që qytetarët e Zvicrës me referendum ndaluan bartjen e burkës.
Alija tha: “Rezultatin e referendumit e pranojmë, ndonëse nuk jemi të kënaqur me të, pasi mendojmë se me një ligj dhe ndërhyrje të re në kushtetutën e vendit kufizohet një e drejtë themelore nga korpusi i të drejtave të njeriut, e promovuar në shumë konventa ndërkombëtare relevante”. Kundër mbulimit të fytyrës me burka apo nikab madje është deklaruar edhe Universiteti al-Azhar në Kajro, një nga instancat më të rëndësishme për studimin dhe interpretimin e fesë islame.
Gazeta “St. Galler Tagblatt” e përshëndeti në një koment ndalimin e shamisë për mësuese.
Komentatori theksoi se shkolla është vendi i gabuar për parada religjioze dhe përkujtoi se Gjykata Federale e Zvicrës që në vitin 1990 ka vendosur të ndalojë vendosjen e kryqit në klasat e shkollave zvicerane me argumentin se shkollat duhet të jenë neutrale sa i përket fesë.
Në fund gazeta nënvizon: “Mocioni i miratuar nuk është një deklaratë kundër grave myslimane me shami. Ai nuk është as shprehje e një frike të tepruar ndaj një islamizimi të fshehtë të shoqërisë sonë. Ai thjesht i jep fund privilegjit të një komuniteti të vetëm fetar për të vazhduar të shfaqë një simbol të fortë fetar gjatë mësimdhënies, ndërkohë që kjo u ndalohet komuniteteve të tjera të besimit”.


































