Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhja e parë e Bordit të ZRRE-së për vitin 2026.

Gjatë kësaj mbledhjeje do të shqyrtohet kërkesa për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO), si dhe çështja e caktimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.


Ndërkohë, operatorët energjetikë në Kosovë kanë paraqitur kërkesa për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave, duke u arsyetuar me rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.

Sipas dokumentit të dorëzuar nga KESCO, i cili përmban analizën e kostove dhe projeksionet financiare për vitin e ardhshëm, nevojat financiare të furnizuesit tejkalojnë vlerat e të hyrave të miratuara për vitin 2025, duke sugjeruar një rritje të tarifave për konsumatorët, në mënyrë që të mbulohen kostot operative dhe të tjera të lidhura me sigurimin e furnizimit me rrymë.

Në vitin 2023, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte miratuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 tarifat u shtrenjtuan për 16.1 për qind. /Telegrafi/