LAJMI I FUNDIT:

Zotimi për teknologjinë, në një rajon sfidues: Si mundet ta përforcojë Amerika, suksesin e mbi dy dekadave në Kosovë

Zotimi për teknologjinë, në një rajon sfidues:  Si mundet ta përforcojë Amerika, suksesin e mbi dy dekadave në Kosovë

Përshëndetje, jam Ylli Bajraktari, CEO i Projektit të Studimeve Speciale Konkurruese [Special Competitive Studies Project – SCSP]. Në maj e kisha mundësinë të udhëtoj për në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, bashkë me ekipin e SCSP-së. Për mua ishte udhëtim emocionues, teksa rrugëve ku u rrita unë ecja me [kolegët] Joe, Hina, PJ dhe Angela. E, duke e pasur parasysh rolin pozitiv që Amerika ka luajtur gjatë shumë vjetëve atje, në mbështetje të lirisë, nuk ka asnjë vend tjetër në botë – si Kosova – ku ti ndihesh më mirë kur tregon se je nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë edicion të 2-2-2-shit, Hina Gir dhe Joe Wang nga SCSP-ja reflektojnë mbi disa prej çështjeve kryesore të udhëtimit atje – përtej kryetitujve aktualë.

Joe Wang dhe Hina Gir

Por, para se të lexoni për përshtypjet nga udhëtimi në Kosovë, më lejoni të ndaj me ju disa të reja nga SCSP-ja …


Javën e kaluar, ne e shpallëm Samitin tonë të tretë vjetor për Teknologjinë Globale në Zhvillim [Global Emerging Technology Summit]. Shpresojmë se do të na bashkoheni. Ju lusim ta konfirmoni pjesëmarrjen, pasi hapësira është e kufizuar.

Gjithashtu, menjëherë pas [festës së] Ditës së Punës, SCSP-ja do të publikojë gjashtë memorandume mbi inteligjencën gjeneruese artificiale [Generative AI]. Çdo memorandum do ta mbulojë një fushë specifike, përkitazi me nevojën për ta miratuar AI-në gjeneruese – për qëllime ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë kombëtare. Qëndroni të informuar për “Gjashtë ditët e AI-së në shtator” [Six days of AI in September].

______________________________

Përshkrimi i vendit dhe situatës

Kur mbërrin, qoftë në Amerikë ose në Kosovë, me një ngjashmëri të habitshme fillon rrugëtimi yt nga dogana. Pas aterrimit në Aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, njeriu rëndomë përshëndetet përzemërt me “Mirëserdhe në Kosovë!” [“Welcome to Kosova!”] – sikurse “Mirëserdhe në shtëpi!” [Welcome home!] që pas një udhëtimi të gjatë ti dëgjon kur kthehesh në Aeroportin “Dulles”. Nuk është e habitshme, meqë Policia e Kosovës është trajnuar nga Programi i Departamentit të Drejtësisë – ICITAP [International Criminal Investigative Training Assistance Program]. Gjatë udhëtimit tonë njëjavor, ne patëm një sërë angazhimesh me zyrtarët kosovarë dhe amerikanë, me krerët edukativë dhe studentorë, si dhe me novatorë dhe ekspertë privatë dhe jofitimprurës. Vizita jonë ndodhi pak para përshkallëzimit të fundit në Mitrovicën Veriore.

Javën e kaluar, NATO-ja e përfundoi Samitin e vet madhor në Vilnius, por viti i ardhshëm (2024) do të shënojë 75-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Tensionet në Ballkanin Perëndimor janë kujtesë për rëndësinë e lidershipit, të aftësive shtetërore dhe të fuqisë ushtarake të ShBA-së që mbështet vizionin e një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe – politikë kjo e dy partive që vazhdon për dekada me radhë. Teksa me të drejtë më shumë vëmendje i kushtohet luftës së vazhdueshme në Ukrainë, si dhe të ardhmes së Ukrainës me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk duhet të harrojnë këtë rajon kritik që e ndezi Luftën e Parë Botërore dhe që çoi në një nga krizat e para të mëdha – në kontinentin evropian – të pas-Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara që atëherë kanë qenë vendimtare për stabilitetin në rajon, veçanërisht në mbështetjen e krijimit të kombit të dytë më të ri në botë dhe të demokracisë më të re në Evropë – Republikës së Kosovës, në vitin 2008. Vizita në Kosovë është gjithçka që nevojitet për të parë historinë e suksesit drithërues bashkëkohor – përgjatë viteve – të politikës së jashtme të Amerikës.

Teksa Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një epokë të re të konkurrencës globale përballë [vis-à-vis] Republikës Popullore të Kinës (RPK) dhe modelit autoritar të qeverisjes që ajo përfaqëson, historitë e tilla të suksesit kanë rëndësi si provë konkrete e asaj që mund të arrijë lidershipi dhe fuqia amerikane. Të përkrahësh suksesin e Kosovës do të thotë të mbështesësh suksesin e Amerikës. Edhe pse Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët tanë evropianë, po punojnë për ta arritur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne besojmë se dyfishimi i bashkëpunimit teknologjik me Kosovën, duke i pasur parasysh karakteristikat e saj pro-amerikane dhe pro teknologjisë, e ofron një rrugë të qartë për ta forcuar sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin e saj. Kjo mund të shërbejë si model për një qasje të re të përqendruar në teknologji, ndaj ndihmës së huaj, që Shteteve të Bashkuara do t’i duhet për të konkurruar kundër përpjekjeve teknologjike të RPK-së në mbarë botën – për ta përfshirë fqinjin verior të Kosovës, Serbinë. Sa i përket Kosovës, qeveria dhe njerëzit atje nuk duhet ta harrojnë rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara – rolin historik që ajo ka luajtur gjatë dy dekadave të fundit, duke filluar me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për ta ndalur krizën humanitare, dhe më pas duke e çuar Kosovën drejt pavarësisë. Mundësia e të dy vendeve tani qëndron te dhënia e prioritetit për të ardhmen, si dhe te mundësitë që inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera në zhvillim mund të hapin për shoqëritë tona.

Diskutimi i konkurrencës globale të teknologjisë, shpeshherë fokusohet në fuqitë e mëdha të teknologjisë. Kryetitujt janë të prirë të përqendrohen te inovacionet e reja të veçanta të centraleve teknologjike, si shpërthimi i ChatGPT-së në Shtetet e Bashkuara, ose rastet e bashkimit të liderëve të teknologjisë – si suksesi i kontrollit ShBA-Japoni-Holandë ndaj eksportit të gjysmëpërçuesve. Megjithatë, historitë e pathëna të konkurrencës teknologjike po zhvillohen në terren, në shtetet anembanë globit. Pjesa më e madhe e konkurrencës ndërkombëtare do të vendoset në këto fushëbeteja të teknologjisë, duke u bazuar në talentin dhe burimet që ato mund të sjellin në treg. Nëse angazhohen në kohën e duhur me partneritetet e duhura, këto vende mund të zgjerojnë radhët e kombeve që punojnë drejt të ardhmes demokratike të mundësuar nga teknologjia. Kjo është historia e vetëm njërit prej atyre kombeve – Kosovës.

Ajo që hasëm gjatë vizitës sonë në Kosovë ishte një terren për bashkëpunim të bazuar në vlerat e përbashkëta, në talentin njerëzor të njohurive për teknologjinë dhe një qeverie që favorizon inovacionin. Këto të përbashkëta nuk ishin befasuese, duke pasur parasysh historinë tonë të përbashkët dhe mbështetjen e ShBA-së për institucionet dhe stabilitetin demokratik të Kosovës. Siç ilustrohet nga vizita në maj (2023) e administratores së USAID-it, Samantha Power, Kosova mbetet prioritet dhe vend i angazhimit për zyrtarët e lartë amerikanë.

Këto lidhje nuk janë as të kufizuara në angazhimin ndërqeveritar. Sektori privat i ShBA-së, shoqëria civile dhe sistemi arsimor kanë zhvilluar një prani të fortë që ka rrënjosur besimet e përbashkëta në inovacion, në sipërmarrje dhe në fuqinë e teknologjisë. Dy shembuj të tillë përfshijnë Institutin e Teknologjisë të Roçesterit [Rochester Institute of Technology] në Kosovë [RIT-K] dhe Qendrën e Inovacionit në Kosovë [Innovation Centre Kosovo – ICK], një inkubator ky teknologjik në Prishtinë.

RIT-K

Ish-Universiteti Amerikan i Kosovës (AUK), RIT-K e thekson lidhjen e vet me Shtetet e Bashkuara. Synon të ofrojë një “diplomë amerikane”, si për studentët në baçelor ashtu edhe për ata në master, ndërsa vlen të përmendet se ky është institucioni i parë arsimor në Kosovë që e ofron një përvojë edukative amerikane. Përderisa “T” në RIT-K do të thotë “Teknologji”, universiteti shquhet për trajnimin e gjeneratës së ardhshme të shërbyesve publikë kosovarë, të studentë të rinj të frymëzuar nga roli i qeverisë në ruajtjen e paqes dhe në avancimin e vlerave demokratike. Po ashtu, gjenerata me vlerësim të thellë për rolin e ushtrisë, si forcë stabilizuese, po i ndjek hapat e më të moshuarve për t’iu bashkuar Forcave të Sigurisë së Kosovës – menjëherë pas diplomimit.

Kryetari dhe CEO i SCSP-së, Ylli Bajraktari, mban fjalimin para studentëve të porsadiplomuar në RIT-K.

Në të njëjtën kohë, në frontin e teknologjisë, RIT-K që nga fillimi ka kurorëzuar 1 500 studentë me diplomë të baçelorit në shkencë. Ky vit shënon diplomimin në RIT-K të klasës së parë të masterit në informatikë dhe teknologji informative. Në përpjekjet e veta, RIT-K është e prirë për të ardhmen, duke përdorur më shumë metoda të analizës së tregut amerikan, për t’i përshtatur studentët me sektorët në zhvillim të punësimit, përfshirë këtu fushat e teknologjisë në zhvillim.

ICK

Për ndërmarrësit kosovarë, Qendra e Inovacionit në Kosovë është inkubator i një lloji të veçantë. ICK-ja aktualisht ofron trajnime për anëtarët e komunitetit dhe ofron qasje në financa dhe në infrastrukturë për [nismat] startap [start-up]. ICK-ja shërben si ndërlidhje, duke e njohur rëndësinë e rrjeteve në sipërmarrjen teknologjike dhe duke i mirëpritur aktivitetet që mundësojnë shtimin e rrjetit. Nëpërmjet këtij inkubatori, ICK-ja krenohet me krijimin e 3 100 vendeve të punës. ICK me krenari prezanton një mur që tregon startapët e zhvilluar nën mentorimin dhe mbështetjen e ICK-së.

Listat e kompanive të krijuara përmes ICK-së.
Ekipi i SCSP-së jashtë objektit të ICK-së (nga e majta: Ylli Bajraktari, Uranik Begu, Hina Gir, Joe Wang, Angela Ponmakha, PJ Maykish dhe Shpend Lila)

Për më tepër, ICK-ja punon për të mbjellë farat për sipërmarrësit e ardhshëm të teknologjisë, duke plotësuar institucionet si RIT-K. Këto përpjekje mund të fillojnë që në moshë të re. Për shembull, Juniorët e ICK-së [Junior Geeks], i financuar nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së, e ofron një “platformë për nxënësit e shkollave të mesme – për të diskutuar, për të eksploruar dhe për të mësuar rreth teknologjisë, sipërmarrjes, shkencës dhe inovacionit“. Iniciativat e tilla gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm në punësim, për zgjerimin e hapësirës për gratë e Kosovës në fushën e shkencës dhe të teknologjisë.

Administratorja e USAID-it, Samantha Power, viziton ICK-në (Foto: Agjencia e Lajmeve KosovaPress, maj 2023)

Pavarësisht këtyre institucioneve të fuqishme dhe avantazheve natyrore, Kosova mbetet një vend në zhvillim që përballet me pengesat reale që duhet t’i kapërcejë për të përmbushur potencialin e vet të plotë – si një qendër e inovacionit. Në veçanti, Kosova ka nevojë për investimet e nevojshme vendore, për të mbështetur mundësitë e reja ekonomike dhe cilësinë e jetës që do të ruajë talentin e vet të kualifikuar për ta ndërtuar vendin si qendër tekno-ekonomike.

Njëkohësisht, Kosova mbetet përfituese e ndihmës ndërkombëtare, duke reflektuar kështu mungesën e fondeve të thella të kapitalit të nevojshëm për të kultivuar një ekosistem teknologjik vendor që prodhon startapet e reja. Migrimi i jashtëm e shton këtë problem, duke e ulur bazën e nevojshme tatimore për qeverinë e Kosovës për të investuar në infrastrukturë, në arsim fillor dhe në kujdes shëndetësor. Një sfidë e tillë pasqyron atë me të cilën përballet pjesa më e madhe e botës në zhvillim – një sfidë që vetëm përforcohet pasi një numër në rritje i krizave ndërkombëtare detyrojnë donatorët që, në rrethanat ekstreme, të ripërqendrojnë ndihmën. Organizatat kritike të varura nga ndihma, duke përfshirë ICK-në, përballen me një të ardhme të pasigurt pasi donatorët i devijojnë burimet drejt luftës në Ukrainë dhe ndaj prioriteteve të tjera konkurruese.

Rruga strategjike para dhe përreth teknologjisë

Kapërcimi i këtyre pengesave kërkon një theks të ri dypalësh, strategjik në partneritetet teknologjike. Teksa konkurrenca globale e teknologjisë bëhet më e përhapur, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj demokratikë duhet të përqendrohen drejt qasjeve teknocentrike për të çuar para interesat tona, krahas zhvillimit ndërkombëtar. Kosova mund të jetë një model se si mund të duket kjo qasje – me prioritet teknologjinë – ndaj zhvillimit ndërkombëtar. I rekomandojmë tre elementë për ta bërë këtë.

Së pari, kompanitë e teknologjisë e kanë një rol kyç që duhet luajtur në zhvillimin ndërkombëtar. Profesionistët e zhvillimit prej kohësh e kanë njohur rëndësinë e angazhimit të sektorit privat, për të përshpejtuar përparimet në terren. Siç ka vënë në dukje Departamenti i Shtetit i ShBA-së, “sektori privat krijon nëntë në dhjetë vende pune në botën në zhvillim”. Derisa konektimi mbetet ende prapa në pjesën më të madhe të Jugut Global, ekonomia digjitale vazhdon të zgjerohet. Kompanitë e teknologjisë kërkojnë të hyjnë në tregje të reja dhe kjo kërkon qendra ose zyra rajonale që mund të ofrojnë vende të reja pune me pagesë të mirë.

Vendet si Kosova e ofrojnë një vatër të natyrshme. Teksa Kosova kërkon investime shtesë në infrastrukturën publike, kombi i ri e ka një bazë solide në infrastrukturën digjitale. Kosova është vend i konektuar. Mbi 93 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet në shtëpi. Ky avantazh përforcohet nga popullsia e re, pro-amerikane anglisht-folëse, si dhe nga hapësirat e disponueshme dhe të përballueshme të punës.

Kushtet e tilla, vendeve si Kosova ua ofrojnë mundësinë për ta mbajtur talentin lokal për punë cilësore, dhe në këtë mënyrë që të kontribuojnë në një cikël të virtytshëm punësimi, investimi dhe të të ardhurave qeveritare për të mbështetur projektet e punëve publike. Kjo dinamikë vetëpërforcuese jo vetëm që i sjell dobi vet nyjës së vendit, por ia mundëson atij të shërbejë si lider për ta ngritur lart të gjithë rajonin. Dhe, në rastet e tilla, është e rëndësishme që ata akterë – siç bën Kosova – t’i ndajnë ato vlerat thelbësore demokratike që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i mbajnë për zemër.

Së dyti, ShBA-ja dhe partnerët e tjerë të qeverive të huaja duhet të ndihmojnë në lidhjen e firmave të teknologjisë me akterët dhe novatorët vendas në Kosovë. Partneritetet e tilla janë thelbësore, pasi mund të mbështesin edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm për të krijuar fuqi punëtore, të aftë për teknologjinë. Por, ndoshta më e rëndësishmja, ato ndihmojnë në nxitjen e brezave të ardhshëm të sipërmarrësve dhe novatorëve vendas me të cilët kompanitë e teknologjisë – veçanërisht ofruesit e platformave ose të shërbimeve të mëdha – mund të bashkëpunojnë.

Bashkëpunimi ndërmjet ShBA-së dhe kompanive aleate të teknologjisë dhe kapitalit privat, me këta inkubatorë lokalë, hap mundësi të reja të jashtëzakonshme. Për shembull, siç është theksuar, ICK-ja tashmë i ndihmon novatorët e rinj kosovarë që të ndërmarrin hapa të jashtëzakonshëm. Me mbështetjen e duhur, ICK-ja mund ta krijojë një Akademi të inteligjencës artificiale [ICK AI Academy] që mund të trajnojë jo vetëm kosovarët, por edhe talentët nga vendet fqinje – duke përfshirë studentët dhe sipërmarrësit vizitorë nga Lindja e Mesme, për shkak të lidhjeve historike dhe kulturore.

Së treti, Prishtina duhet të përqafojë qasjen e të qenit qeveri pro inovacionit, që është e etshme për ta shfrytëzuar teknologjinë për përfitim publik. Bota në zhvillim posedon më pak drejtues me rrënjë në teknologjinë e trashëguar, duke krijuar hapësirë për të zbatuar sa më shumë nga inovacionet e fundit. Për shembull, kjo dinamikë “kapërcimi” shihet në anashkalimin e linjave fikse tradicionale dhe në lëvizjen drejt telefonave celularë për shumë popullata në Afrikë.

Një pilot projekt i tillë tashmë është duke u zhvilluar në Kosovë. Aktualisht, USAID-i po mbështet zhvillimin e një platforme të ngjashme përmes aplikacionin Diia të Ukrainës, për t’i ndërlidhur qytetarët – në mënyrë digjitale – me shërbimet qeveritare. Siç kanë treguar sukseset e Diia-s në terren, në Ukrainë, mjetet e qeverisjes digjitale mund të jenë forca të fuqishme për ta rritur kapacitetin qeverisës, për të përmirësuar ndërveprimet për qytetarët, dhe madje për të kontribuar në mbrojtjen kombëtare. Kështu, qeveritë pro inovacionit dhe të gatshme për të qenë largpamëse – në vend se të bllokohen në paradigmat e vjetra – janë esenciale për të mirëpritur teknologjitë e reja dhe për të ndërtuar mjedise rregullatore mbështetëse që lejojnë novatorët ta zhbllokojnë potencialin e vet.

Duke u fokusuar në mundësitë e synuara, për të ndërtuar të nesërmen – sot

Gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, bota e ka dëshmuar përparimin e jashtëzakonshëm në zhvillim. Midis viteve 1990 dhe 2015, bota e tejkaloi Objektivin e Zhvillimit të Mijëvjeçarit për të përgjysmuar numrin e individëve që jetojnë në varfëri ekstreme. Megjithatë, mbetet më shumë punë për t’u bërë, me shumë pak më burime për të përparuar në këto nevoja.

Kosova mbetet partneritet unik për Shtetet e Bashkuara, me të gjitha kushtet e duhura që bashkëpunimi strategjik teknologjik të lëshojë rrënjë. Asnjëra palë nuk duhet ta harrojë të kaluarën, por duhet të përparojmë drejt të ardhmes që forcon sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës, për të qenë kështu të sigurt se dhuna dhe konflikti i së kaluarës nuk do të përsëriten. Suksesi i përbashkët i dy kombeve tona, mund të jetë atje një model për atë që shteti amerikan mund të arrijë gjetkë – në mbarë botën, në një epokë të re të konkurrencës strategjike.

Jemi të lumtur të njoftojmë se Uranik Begu, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Plug and Play dhe ish-drejtor ekzekutiv i ICK-së, do të na bashkohen në një panel diskutimi. /Burimi: scsp222.substack.com/Përkhimi: Telegrafi.com/