LAJMI I FUNDIT:

Zoti në Olimp …

Një udhëtim për një shenjtërore në viset e atdheut, gjuha, rruga dhe kombi duken të unifikuara, veset dhe zakonet krejtësisht të njëjta, pakëz bunker, kulla mitike, politikë shqiptare dhe kthimi në shtëpi që të duket se je kthyer në të njëjtin shtet, një kufi i hollë na ndanë në dy shtete shqiptare në Ballkan…

Rruga e atdheut…


Kur kalon kufirin Kosovë – Shqipëri të gjithë ata që kanë kaluar nëpër provën e zjarrit të luftës dhe për të gjithë ata që e kanë lexuar këtë provë si film të trishtë nga fillimshekulli i kaluar ndodh mrekullia, fakti se në të dy anët e kufirit ka policë që flasin shqip (paramendo në të dy anët e kufirit policët flasin shqip) e ngritë krenarinë kombëtare në zenitin më të lartë. Dhe kur kjo krenari ngrihet ligjshëm pas kontrolleve rutinore në të dy anët e kufirit për të treguar makthin e tragjedisë dy bunker betoni nga koha e Enver Hoxhës ta bëjnë me sy. Pakëz më larg gjatë rrugës do të shikosh se kjo nuk është lojë për të qeshur fëmijët kjo është paranojë e një regjimi që vizatoi fatet e trishta shqiptare.

Të rrethuar në pjesën më të madhe të shekullit nga diktatura serbe dhe nga diktatura jonë, vërtet ky udhëtim nëpër autostradën e kombit, që nuk është fare interesant a e ka shtruar Sali Berisha apo Edi Rama, të kthjellë nëpër kohë se ka ndryshuar historia. Sa ecë një tabelë të tregon rrugë daljen për në qytetin e Kukësit i cili më kujton poetin e fundit të vrarë nga diktatura komuniste. Përsëri bunker dhe male të larta e vazhdojnë rrugën dhe si për ironi e pashmangshme është profecia që e kisha lexuar se kur ecë nëpër autostradë është e pashmangshme që lopët të kalojnë nëpër mesë te rrugës, duke shikuar mbi malet e vjetra dhe shtëpitë e varfra ky parakalim arkaik i lopëve në “botën moderne” nuk më bën përshtypje. E kam parasysh se në këto male kanë jetuar disidentët kundër komunizmit dhe njerëzit më të vetmuar dhe më të izoluar në histori pranë besës dhe gurëve. Një tragjedi moderne e vizatuar në shpirtin e njeriut.

Bukën tonë të përditshme falna sot…

Disa shtëpi të vetmuara në gurë bëjnë paralelen në mes të autostradës dhe relikteve historike që edhe ashtu si duken e mbajnë shpirtin gjallë. Gjatë rrugës kisha të vogla katolike, kryqe, kulla të vogla të ndërtuara nga gurët të kthejnë në kohën e ndonjë udhëpërshkruesi historik të një kohe tjetër si Edit Durham që kishte portretizuar besën e malësorëve dhe burrërinë. Duket se këto male dhe shtëpi klithin edhe në këtë kohë për “Bukën tonë të përditshme falna sot”. Në qyteza të vogla shihen shenjat e “emancipimit” enverist, pallatet të cilat sipas propagandës duhet të kujtonin zhvillimin dhe “lulëzimin” më të madh të kësaj epoke në fakt duken si pallate të bombarduara dhe të mbetura ende në këmbë pas një lufte bukur të gjatë me kohën dhe me njerëzit. Përsëri kisha të vogla dhe gra nga pamja të varfra të veshura me veshjen e zonës bëjnë stop në autostradë me gjasë të orientuara nga destinacioni më i famshëm ndër ritet fetare të shqiptarëve rrugëtimi për në kishën e Shën Ndout në Laç. Rruzaret, shamitë e zeza dhe rrudhat e ballit bëjnë portrete historike në këtë fillim shekulli si tek “Motra Tone” e Kol Idromenos.

Rruga për në Fan…

Një tabelë e madhe të paralajmëron se disa kilometra më tutje mund të kthesh në Fan të Mirditës. Është pikërisht kjo zona e cila në periudhën e pushtimit turk kishte lëvizje të konsiderueshme të popullsisë sidomos për në rrethinën e Gjakovës. Numri më i madh i fiseve katolike të vendosura në rrethinën e Gjakovës deklarojnë se nga mbamendja historike e kanë prejardhjen nga ky vend. Nuk të sheh syri shumë në kthesën për në Fan përveç një kryqi në maje të malit, disa shtëpi kulla në miniaturë që duken si të braktisura dhe një rapsod ose dashamirës i muzikës folklorike në afërsi të autostradës, i cili po shkonte diku. Më vonë gjatë ditës nga gazetat pro PS u njoftova se dikund në këtë pjesë kishte kënduar me çifteli edhe kryesuesi i trupit gjykues në ankesën e PS për Bashkinë e Tiranës Tom Ndreca siç e ironizojnë kalemxhinjtë si ‘’Tomka dhe shokët e tij’’ duke aluduar në një titull filmi nga epoka e komunizmit. Më erdhi mirë që e zbulova se ka kthen rruga për tek kujtimet e vjetra të të parëve…

Te Toma…

Është e pamunduar që të gjithë Kosovarët të mos ndalen për një kafe pushimi në restorantin, pompën e benzinës, këmbimoren e autopjesëve, lavazhin, fast food restorant “Toma”. Të gjitha këto komponente gjenden në këtë mjedis të bukur ku pos qetësisë së maleve dhe varfërisë së zonës kthehesh në një pjesë me zhurmë Evrope që duket se i ka padyshim kafet më të lira në tërë Evropën, nga 40 lekë. Si për të propaganduar pak nga propaganda e zotit Berisha në të hyrë të pronës të Tomës gjenden flamuri shqiptar, i Bashkimit Evropian, i NATOS dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tek Toma gjenden të ndaluar për të ndërruara dy llafe të gjithë kosovarët e qyteteve të ndryshme të cilët nga mënyra se si bisedojnë duken si në shtëpinë e tyre të përbashkët. Një numër i madh i njerëzve që gjenden në lokal ia kanë mësyrë poashtu shenjtërores së “Shën Ndout” në Laç, e cila është një vend pelegrinazhi me një status të veçantë disi si kisha e Lurdit në Francë. Sipas rrëfimeve, forca e kësaj kishe është mitike dhe shëruese.

Laçi…

Rruga nga autostrada deri në Laç të shkon me shpejtësinë e dritës dhe të trishton me ndryshimet në pak metra në mes të komunizmit dhe modernes. Një furgon i mbushur plot me njerëz si sardele të dërgon me një shpejtësi marramendëse në qendër të qytezës e cila në disa vende është dekoruar me mbishkrimet e mëdha “Mirë se erdhët në Shën Ndue”, që reflekton për festën e shenjtë të besimit katolik, i njohur si Shën Antoni nga Padova, i cili është ndër shenjtërit më të njohur të kishës katolike. Kisha gjendet e fshehur pas një mali në kodër, kolona të njerëzve kanë mësyrë në një pelegrinazh që nuk njeh fe as moshë. Nëse dëshiron të shkosh me taxi nëpër rrugët gjarpërore për tek kisha kujdeset një djalë i ri i cili ka të vendosur përpara një kopje të Kuranit të madhëruar dhe që vazhdimisht brohorit në mes të qytezës “Ka robë për ke kisha”. Gjatë rrugëtimit nëse ke problem me unaza të boshtit kurrizor të gjitha i ke në vend nga vozitja pa kriter. Kur policët e shikojnë dhe me gjasë dëshirojnë ta qortojnë për mënyrën e vozitjes, djaloshi e ka ilaçin që t’i qetësoj policët me një frazë të shkurtër shqipe “Ju ndihmoftë”, “Ju ndihmoftë”, një aludim për ditën e festës së Shën Ndout, para kësaj lutje policët shndërrohen në statuja mermeri vetëm qeshen dhe thonë më ngadalë more burrë, se ke edhe kalamaj rrugës…

Ke kisha…

Kur mbërrin tek kisha e cila është një shenjtërore e vendosur në maje të një mali sheh njerëz të të gjitha besimeve që pa dallim feje kanë mësyrë nga të gjitha anët e Shqipërisë për një lutje më tepër dhe për një shpresë më shumë, numri i njerëzve me nevoja të veçanta dhe me kufizime fizike është shumë i madh. Zëri i françeskanit që drejton celebrimin e meshës lutet për më shumë rend gjatë hyrjes në shenjtërore dhe për kujdes nga hajnat sepse sipas tij këtë turmë të madhe në këtë shtegtim fetar e presin edhe hajnat. Poashtu meshtari lutet që pjesëtarët e besimeve tjera fetare të luten, por jo edhe të afrohen për të marrë ritin fetar të kungimit pa qenë pjesëtar të besimit katolik. Është e pamundur që të kalosh këtë shtegtim pa të rënë në sy numri i jashtëzakonshëm i grave në të zeza të cilat janë simbolikë se diku në këto male mitike ende jeton kanuni i maleve dhe vdekja e vëllavrasja. Si për të argumentuar këtë ide meshtari lutet që të përfundoj vëllavrasja në mes të shqiptarëve dhe të mbretëroj harmonia, dashuria dhe paqja. Bie poshtë në qytezë, por rrugës një burrë duke më parë se jam nga Kosova më tregon se në kohën e komunizmit kur diktatori Enver Hoxha mbylli objektet fetare njerëzit nëpër male duke mos njohur rrezik dhe persekutim ngjiteshin për tu lutur dhe për të vazhduar traditën para tytave të bajonetave komuniste. Një tregim që më tingëllon shumë i vërtetë duke parë gjithë këtë devocion shpirtëror.

Basha apo Rama…

Është mision i pamundur të qëndrosh në restorantin në qendër të qytezës, i cili mishin e derrit e përgatit tmerrësisht dobët, pa dëgjuar muhabet burrash mbi debatin mbi zgjedhjet, të majtët dhe të djathtët, Bashën dhe Ramën. Burrat përballë që pinë pa kufizim birra kuqaloshe “Tirana” janë thellësisht të ndarë mbi fituesin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Për Tifozët e demokratëve që janë më të shumtë në numër ç’do gjë ka përfunduar për Tiranën përkundër se Laçin për herë të parë pas 20 viteve e kanë fituar socialistet nga zhargoni i demokratëve “të majtët”. Edhe këtu debati është interesant sepse si në të gjitha viset shqiptare nuk debatohet për politikën si shërbim i qytetarëve dhe ekonominë e fantaksur, por për emra të përveçëm dhe inate politike që nuk dërgojnë askund. Dërgojnë në fakt në mjerimin tonë politik, ekonomik dhe shpirtëror.

Kthimi…

Kthehem në Kosovë pak pa rënë nata… Një pyetje të lind patjetër: A jemi të bashkuar me Shqipërinë…?

Në trend

Më shumë
Pamjet tregojnë ‘Old Trafford’ drejt shkatërrimit  – Ronaldo kishte të drejtë kur foli për kushtet e klubit

Pamjet tregojnë ‘Old Trafford’ drejt shkatërrimit – Ronaldo kishte të drejtë kur foli për kushtet e klubit

Premier League
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Gjatë luftës në Kosovë, nana e ktheu fëmijën që po qante drejt kamerës e i tha: Bija e nanës tregoji botës se çka po na bëjnë!

Gjatë luftës në Kosovë, nana e ktheu fëmijën që po qante drejt kamerës e i tha: Bija e nanës tregoji botës se çka po na bëjnë!

Lajme
Ish-ylli i Liverpoolit zbulon trajnerin e ardhshëm të Man United – thotë se ia tregoi një lojtar aktual i tyre

Ish-ylli i Liverpoolit zbulon trajnerin e ardhshëm të Man United – thotë se ia tregoi një lojtar aktual i tyre

Premier League
Wayne Rooney zbulon skandalin e lojtarëve të Man United - nëse vërtetohet do ketë pasoja

Wayne Rooney zbulon skandalin e lojtarëve të Man United - nëse vërtetohet do ketë pasoja

Premier League
Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Gjermania po e jep falas këtë vilë gjigante, por ka një problem: Sapo përmendet ish-pronari, askush nuk e dëshiron

Evropa
Kalo në kategori