Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Zoran Vukotiqit i akuzuar për 'Krim të Luftës kundër Popullsisë Civile", përkatësisht për akuzën për vrasjen e 13-vjeçarit B.M, duke e dënuar me 15 vite burgim.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës bëhet e ditur se Zoran Vukotiq është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjet, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.


Tutje bëhet e ditur se i akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës, të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 200 euro, ndërsa për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“I akuzuari Z.V. është akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më datë 18.04.1999, rreth orës 15:00, në rrugën ‘Rruga e Sitnicës’ tani ‘Enver Musa’, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, në bashkëkryerje me N.N., në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e drejtës ndërkombëtarë në fuqi gjatë luftës në Kosovës, nenin 3 (1a) i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 dhe nenin 4-të Protkollit II shtesë, të vitit 1977, kishin vrarë djaloshin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13 vjeçare B.M. me armë automatike, në atë mënyrë që tani viktima B.M së bashku me djalin e axhës së tij F.M. kishin marrë biçikletën e fqiut të tyre S.B. dhe kishin dal në lagjen afër varrezave të qytetit të Vushtrrisë, duke lëvizur në drejtim të varrezave të qytetit... “, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se, “me të arritur tek rruga ‘Bajram Miftari’ kishin dëgjuar disa krisma armësh dhe nga frika ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës ‘Enver Musa’. E pikërisht në rrugën kryesore në drejtim të varrezave të qytetit i shohin tre policë të uniformuar dhe të armatosur, e në momentin kur dy fëmijët e lartcekur kishin filluar të kthehen me biçikletë për të ikur, njëri nga policët e uniformuar – tani i pandehuri Z. V., pa paralajmërim, nga largësia përafërsisht 30-40 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve duke qëlluar në gjoks fëmijën B.M. i cili vdes menjëherë, ndërsa fëmiu tjetër F.M. arrin tu shpëtoj të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit të një dyqani i cili ndodhej aty afër, me këtë i akuzuari Z.V kishte kryer veprën penale Krimi i Luftës kundër Popullatës Civile”, thuhet në njoftim.

Palët e dëmtuara udhëzohen që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest të rregullt civil.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/