ZKA evidenton mangësi në licencimin e institucioneve parashkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore.
Auditimi është realizuar për periudhën 2022-2024 dhe ka vlerësuar organizimin e procesit të edukimit në fëmijërinë e hershme, shfrytëzimin dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve parashkollore.
Subjekt i këtij auditimi kanë qenë: Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim.” – thuhet në njoftimin e ZKA-së, më 11.09.2025.
Sipas ZKA-së, MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore.
“Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore. Në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.” – kanë thënë nga ZKA.
Për këtë auditim, Vlora Spanca-Mehmeti, auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmiresimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” e gjeni këtu: https://tinyurl.com/5244vrnw
Institucionet parashkollore publike, themelohen përmes bashkëpunimit mes MASHTI-të dhe Komunave, ku Ministria ka përgjegjësi mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të tyre përmes Inspektoratit të Arsimit.
Kurse, planifikimi për zgjerim të kapaciteteve, menaxhimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i institucioneve parashkollore publike bie nën përgjegjësinë e komunave, respektivisht Drejtorive Komunale të Arsimit.
Bazuar në raportin e ZKA-së, numri i përgjithshëm i institucioneve parashkollore në mbarë Kosovën, për vitet 2022-2024, është 245.
“Prej tyre 170 janë Private, 65 Publike, 9 me bazë në komunitet si dhe 1 me partneritet publikoprivat.” – thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas statistikave, në tri komunat që janë në fokus të auditimit – Gjakovë, Prishtinë dhe Prizren numri total i fëmijëve të regjistruar në edukimin në fëmijërinë e hershme është 11,404 fëmijë, ndërsa në auditim janë përfshirë institucionet parashkollore ku kanë qenë të regjistruar 2,796 fëmijë.


















































