Zjarrfikësit e Junikut pajisen me shkallë motorike falë një donacioni nga Zvicra

Shërbimi i Zjarrfikësve në Komunën e Junikut është forcuar me një pajisje të re të rëndësishme, një shkallë motorike, që pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet operative të këtij shërbimi.
Kjo pajisje moderne është dhuruar nga Zjarrfikësit e Komunës Ruswil, kantoni i Lucernit në Zvicër, në bashkëpunim me Shoqatën “Sali Çekaj”.
Donacioni është realizuar me angazhimin e veprimtarit dhe humanistit të njohur nga mërgata shqiptare në Zvicër, Gasper Merkuri, si dhe Shoqatës Humanitare “Sali Çekaj”, të cilëve Komuna e Junikut u ka shprehur mirënjohjen më të thellë për këtë ndihmë të çmuar.
Kontribut të veçantë në realizimin e këtij donacioni ka dhënë edhe veprimtari nga Juniku, Muhamet Krasniqi.
Sipas njoftimit të bërë nga Komuna e Junikut, ky bashkëpunim i suksesshëm është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit dhe lidhjeve të forta mes mërgatës shqiptare dhe institucioneve në vendlindje.


















































