Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet nën monitorim, me 7 vatra aktive dhe 3 të tjera nën mbikëqyrje.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, 7 prej të cilave ende aktive, ndërsa në operacione janë angazhuar qindra forca dhe mjete, përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.


Vatrat kryesore aktive janë në qarqet Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.

Ministria e Mbrojtjes – përditësim mbi situatën e zjarreve

(30 Gusht 2026 – ora 20:00)

Sipas informacionit operacional të datës 30.08.2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat aktive kryesore janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.

Në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, vijon puna me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë, të mbështetur nga një helikopter.

Në qarkun Dibër situata me angazhimin më të madh: në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë 91 forca; aktive mbeten gjithashtu vatrat në Lundre të Matit, ku ndërhyri një helikopter i FA-së, dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.

Në Qafën e Lugut, Vithkuq, vatra në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së ndërhyrjes në orët e vona.

Në Zallë, Fushë-Krujë, vatra e riaktivizuar është vënë nën kontroll pas angazhimit të MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së. Nuk raportohen zona të banuara në rrezik.

Ndërkohë, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit po mbahen në mbikëqyrje, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./Top Channel