Zjarri në fshatin Llojza të Ferizajt rrezikon zonat e banuara

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka shpërthyer sot rreth orës 13:30 në fshatin Llojza të Ferizajt, duke përfshirë një zonë fushore pranë një restoranti dhe një deponi mbeturinash.
Sipas njoftimit të zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas marrjes së informacionit, ndërkohë që njësitet e zjarrfikësve kanë intervenuar për shuarjen e flakëve.
"Zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe rrezikonte përhapjen në lokacione të tjera. Për fat të mirë, është arritur lokalizimi dhe shuarja e tij pa pasoja në njerëz", ka thënë Veseli.
Zjarri ka shkaktuar dëme materiale, përfshirë djegien e gomave dhe mbeturinave, si dhe krijimin e një reje të madhe tymi. Aktualisht nuk ka të dyshuar lidhur me shkaktimin e zjarrit.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e incidentit, ndërkohë që qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo veprim të dyshimtë në lidhje me zjarrvëniet e qëllimshme
Zyrtarët e zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për neutralizimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në zonat përreth./Telegrafi/

































