Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) në Angli ka zgjedhur gjatë mbrëmjes së djeshme (e enjte), ‘Lojtarin e Vitit’ dhe formacionin më të mirë në Ligën Premier.

Sezoni 2021/22 në Ligën Premier ishte i çmendur dhe u vendos vetëm në minutat e fundit, me Manchester Cityn që fitoi titullin me ‘foto-finish’ në luftën ndaj Liverpoolit.


Megjithatë, lojtarët e Reds ishin ata të cilët morën më shumë vlerësim nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë gjatë ndarjes së çmimeve vjetore.

Mohamed Salah u zgjodh lojtari më i mirë i vitit 2022, pasi egjiptiani fitoi më parë edhe ‘Këpucën e Artë’ së bashku me Heung min-Son me nga 23 gola të shënuar.

Lojtarët e Reds u vlerësuan gjithashtu edhe në formacionin më të mirë të vitit, pasi plot gjashtë prej tyre e parë veten tek zgjedhjet e PFA.

Portieri Alisson Becker, mbrojtësit Virgil van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold, mesfushori Thiago Alcantara dhe sulmuesit Salah e Sadio Mane ishin pjesë e formacionin më të mirë të vitit.

Pas tyre vijnë lojtarët e Cityt, ku tre prej tyre ishin pjesë e formacionit më të mirë: Joao Cancelo, Bernardo Silva dhe Kevin de Bruyne.

pfa liga premier

Dy lojtarët tjerë që kompletojnë formacionin më të mirë të vitit janë Cristiano Ronaldo (Manchester United) dhe Antonio Rudiger (Chelsea), i cili tashmë ka nënshkruar si lojtar i lirë me Real Madridin.

Befasia më e madhe llogaritet mos përfshirja e sulmuesit të Tottenham Hotspur, Son, i cili fitoi ‘Këpucën e Artë’ me 23 gola gjatë sezonit, ku asnjëra nuk u shënua nga penalltia. /Telegrafi/

telegrafi sport app