LAJMI I FUNDIT:

I zgjedhur kryetar i Këshillit Drejtues të TTK-së, Fisnik Ademi: Do të përkushtohem në maksimum ta çojmë teatrin përpara

I zgjedhur kryetar i Këshillit Drejtues të TTK-së, Fisnik Ademi: Do të përkushtohem në maksimum ta çojmë teatrin përpara

Aktori i njohur kosovar, Fisnik Ademi, është zgjedhur sot (e premte) kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Bordi në përbërje nga: Shkelqim Millaku, Valon Kashtanjeva, Adil Olluri , Ismet Azemi, e Jahja Shehu kanë emëruar aktorin në fjalë në këtë post të enjten, dy javë pas dorëheqjes së Burbuqe Berishës.

Fisnik Ademi në një prononcim për Telegrafin, ka treguar emocionet e tij me t’u emëruar kryetar i Këshillit Drejtues të TTK-së.


“Po është e vërtetë që pas dorëheqjes së regjisores Burbuqe Berisha , dje (e enjte) në mbledhjen e radhës së këshillit, jam propozuar që të jem kryesues i këshillit dhe kështu jam votuar nga kolegët tjerë të këshillit. Falënderoj kolegët e këshillit për besimin që ma kanë dhënë”, tha Fisnik Ademi për Telegrafin.

Aktori Fisnik Ademi është i njohur për publikun edhe si ‘Hetemi’ i seralit “O Sa Mirë” (Foto: Fisnik Ademi/Instagram)

Tutje, aktori shumë i suksesshëm kosovar, i cili karakterizohet me role të shumta në serialet vendore, ka treguar për detyrat dhe përgjegjësitë me të cilat do të përballen tani e tutje me pozitën e tij të re.

“Teatri Kombëtar është institucioni më i lartë kulturor në vend, dhe si i tillë ka obligime dhe përgjegjësi të mëdha. Brenda këshillit kemi një mirëkuptim të madh me kolegët dhe bashkërisht do të japim maksimumin. Disa prej planeve të cilat kisha me i veçu është që Teatri Kombëtar duhet qysh prej vitit të ardhshëm të jetë prezent më shumë në festivalet e ndryshme botërore, e për këtë duhet të kemi shfaqje cilësore (gjë të cilat kam shumë shpresë në disa projekte të cilat janë në repertor për vitin 2018, po ashtu një ansambël të aktorëve kualitative që na ka zili i tërë rajoni)”, thotë tutje Ademi.

Foto: Fisnik Ademi/Instagram

TKK ka nevojë për shumë ndryshime, por disa prej tyre janë prioritet.

Në vazhdimin e bisedës, Fisniku tregoi se tani e tutje do të jetë i përkushtuar që në teatër të sjell ndryshimet e duhura dhe specifike.

“TKK-së për momentin i mungon një prezantim në botë. Kemi projekte shumë të mira të cilat me krenari do të prezantoheshin nëpër festivale të ndryshme. Do të jetë një angazhim pak ma i madh i brendshëm dhe ndryshim ndoshta i planifikimit të buxhetit të teatrit, i cili duhet të lëviz më shumë jashtë shtetit. Personalisht jam shumë i kënaqur me disa projekte të cilat janë realizuar gjatë këtij gjashtë mujorit të parë. Prioritet tjetër do të jetë edhe investimi në TKK. Për momentin, gjendja në teatër nuk është e kënaqshme. Nuk është investuar një kohë të gjatë, si në aspektin teknik po ashtu edhe në nevoja tjera themelore. Falënderoj ministrin e Kulturës, Z.Gashi, për vullnetin që ka treguar për intervenimin në TKK , investime këto, besoj që do të fillojnë shumë shpejt dhe para shtatorit, veç do t’i kemi të përfunduara”, tha aktori Ademi, tashmë kryetar i Bordit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Foto: Fisnik Ademi/Instagram

E shohim si aktorë në serialet “O Sa Mirë” dhe “Tre gjermanët e trashë”, ai gjithashtu ka edhe një emisioni televiziv me bashkëshorten e tij, modelen Dhurata Lipoica – e tashmë ka edhe një angazhim më shumë.

Me gjithë këto angazhime, aktori Fisnik Ademi tregoi në përfundimin e bisedës për Telegrafin se si po arrin t’i koordinojë në kohë të gjitha angazhimet e tij.

“Unë personalisht njihem si punëtor i madh dhe person që marr përgjegjësi për punët të cilat më besohen. Gjatë verës, projektet televizive si seriali “O Sa Mire”, “Tre gjermanët e trashë” pauzojnë. Një tjetër emision “Si n’shpi“, të cilin e moderoj me gruan time e vazhdojmë edhe gjatë verës”, përfundoi Fisnik Ademi për Telegrafin.

Aktori dhe modelja Lipovica janë prindër të dy fëmijëve, dhe jetojnë së bashku në Prishtinë. /Telegrafi/

Fisnik Ademi dhe bashkëshortja e tij, Dhurata Lipovica, janë drejtues të emisionit “Si n’shpi” (Foto: Fisnik Ademi/Instagram)