Zgjedhjet në Shqipëri, 97 kuti të Gramshit dhe Peqinit do të rinumërohen

97 kuti të Peqinit dhe Gramshit do të hapen për të verifikuar parregullsitë që pretendohen nga Partia Demokratike.
Fletët nuk do të rinumërohen për efekt rezultati por vetëm për të krahasuar të dhënat në kuti me ato të procesverbale.
Vendimi u mor nga KAS, sërish duke shfrytëzuar fuqinë ligjore të dy anëtarëve, Ledio Braho dhe Elvis Çefa.
PD kërkoi të dhëna edhe sa i përket votës së emigrantëve, specifikisht atyre që nuk kanë firmën e zgjedhësit, dhe nëse KQZ do të paguajë kompaninë DHL për këto vota.
Nuk munguan as përplasjet me anëtarin e KAS, Ilir Rusmajli, për të cilin PD ka kërkuar të mos jetë pjesë e shqyrtimeve të ankimimeve, me argumentin se ka konflikt interesi për shkak të pozicionit që mban si këshilltar i Presidentit.
Ndërkohë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përfunduar kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet e identifikimit biometrik.
Nga këto të dhëna, rezulton se në 43 raste është përdorur mjet identifikimi i njëjtë ndërsa 1798 raste një shenjë gishti është hasur në më shumë se një qendër votimi.
Për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve këto konsiderohen raste të dyshimta por do të verifikohet nëse kanë tentativa për votim të dyfishtë apo probleme teknike gjatë realizimit të procesit të votimit./Tv Klan








































