LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet e dhjetorit, sfidë e re për deputetët e diasporës

Zgjedhjet e dhjetorit, sfidë e re për deputetët e diasporës

Një mundësi e re, por jo e sigurt për të fituar ndonjërin nga tre deputetët e diasporës. Me ndryshimet e fundit të kodit zgjedhor që buruan nga Marrëveshja e Përzhinos tre deputetët në diasporë nuk janë të sigurt, por tre është numri maksimal i atyre që mund të zgjidhen. Ndryshimi në zgjedhjet e 11 dhjetorit është se diaspora tani do të jetë një njësi zgjedhore, njësia numër shtatë, ndërsa deputetët do të zgjidhen po ashtu me sistemin proporcional.

Të gjitha partitë do të garojnë jo me nga një deputet siç ishte në zgjedhjet e kaluara, por me një listë prej tre deputetëve. Kusht për të fituar një deputet është që lista të fitojë 6500 vota sa është numri i votave që në zgjedhjet e kaluara ka fituar deputeti i fundit me numrin më të vogël të votave të fituara.


Për të fituar deputetin e dytë e njëjta listë duhet të fitojë 13 mijë vota, si dhe 19.500 vota për të fituar tre deputet. Nëse një listë nuk i fiton të gjitha votat, deputetët mund t’i ndajnë dy apo tre parti të cilat kanë fituar të paktën nga 6500 vota.

Nëse nuk arrijnë që të kalojnë këtë numër të votave, atëherë nga diaspora mund të vijë vetëm një deputet, ndërsa deputeti i dytë dhe i tretë të digjen nëse asnjë listë tjetër nuk ka fituar 6500 vota, njofton Tv Shenja.

Njësia e diasporës do të përfshijë të gjitha vendet ku jetojnë mërgimtarët. Kështu kjo do të jetë një mundësi e mirë që shqiptarët të fitojnë të paktën një deputet nëse arrijnë që nga Evropa dhe SHBA-të të grumbullojnë bashkë 6500 vota. Por, rreziku për humbjen e deputetëve të diasporës mbetet edhe më tej në unifikimin e votës në diasporë.

Nëse këto vota shpërndahen nëpër disa lista dhe asnjëra parti nuk arrin pragun, atëherë asnjëra prej tyre nuk do të fitojë deputet. Për të votuar në diasporë, mërgimtarët duhet të paraqiten në një afat 25 ditë para zgjedhjeve, gjatë afatit të shqyrtimit publik të listës së votuesve. Nëse nuk paraqiten për të votuar në diasporë, mërgimtarët atëherë do të kenë të drejtë të votojnë në njërën nga gjashtë njësitë në vend. /Telegrafi/