Zemaj kërkon falje pasi grushtoi një qytetar: Më ofendoi me fjalë të papranueshme

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas një situate të pakëndshme që ka ndodhur gjatë një interviste publike, ku sipas tij është provokuar dhe ofenduar nga një qytetar.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Zemaj ka shprehur keqardhje për incidentin, duke theksuar se reagimi i tij ishte në afekt dhe nuk përfaqëson as bindjet e tij personale, as parimet që mban si deputet dhe anëtar i LDK-së.
“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar – këtë do ta vërtetojë policia – më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës", ka shkruar Zemaj.
Ai ka shtuar se në raste të tilla duhej të ruante qetësinë dhe dinjitetin, pavarësisht provokimeve, duke theksuar se “dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë”.
“Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike. Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo. E imja është të mos reagoj me emocione. Andaj, kjo situatë duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë,” ka përfunduar Zemaj.
Policia pritet të sqarojë rrethanat e incidentit.
Për rastin ka reaguar edhe gazetari Astrit Gashi që ishte duke intervistuar deputetin.
"Sot pasdite gjatë xhirimit të një interviste me deputetin e Kuvendit te Kosovës Armend Zemaj, ka ndodhur një incident fizik mes këtij të fundit dhe një qytetari. Per incidentin është lajmëruar Policia e Kosovës, e cila i ka marrë të gjitha pamjet e xhiruara nga kamera", ka shkruar Gashi./Telegrafi/


































