LAJMI I FUNDIT:

Zeka: Propozimi i qeverisë për pagë minimale i drejtë, 100 milionëshi mund të investohej në forma të tjera

Zeka: Propozimi i qeverisë për pagë minimale i drejtë, 100 milionëshi mund të investohej në forma të tjera

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka deklaruar se propozimi që paga minimale të rritet në 250 euro neto është vendim i drejtë i qeverisë dhe më i arsyeshëm përtej propozimeve tjera që kanë qenë nga 400 deri në 500 euro.

Mirëpo, sa i përket masave të reja për mbështetjen e 800 mijë qytetarëve me nga 100 euro, Zeka vlerëson se do të ishte më mirë që këto mjete të investoheshin në forma të tjera e që do të kishin efekte multiplikative në ekonominë e vendit.


Zeka në një intervistë për KosovaPress ka thënë se nuk mund të mohohet fakti që do të kenë ndikim në ekonomi këto mjete shtesë, derisa deklaron se duhet të pasur parasysh edhe problemet që dalin nga këto mjete prej 100 milionë eurosh, me rritjen e mëtejme të konsumit, rritjen e inflacionit dhe thellimin e deficitit tregtar.

“Nuk mund të mohojmë faktin që do të ketë një ndikim në ekonomi, për shkak se është një shumë, rreth 100 milionë euro, por në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh edhe problemet që do të dalin me rritjen e mëtejme të konsumit, natyrisht edhe rritja e inflacionit, por edhe thellimit të deficitit tregtar.

Ajo për çka kemi shprehur shqetësimin tonë, është që nuk ka pasur një konsultim paraprak me hisedarët përkatës. Ndoshta do të kishte pasur ide shumë më kreative për një mbështetje të qytetarëve të cilët ballafaqohen me vështirësi gjatë këtyre ditëve si pasojë e ngritjes së çmimeve.

Megjithatë ka pasur politika të tjera fiskale që kanë mundur të aplikohen nga ana e shtetit ashtu që të gjithë qytetarët, pa përjashtim dhe pa diferencim të mund t’i përballojnë në mënyrë të njëjtë këto vështirësi të shkaktuara si pasojë e krizës aktuale… Është simbolike (100 eurot) për një punëtor i cili përfiton, dhe për 800 mijë persona sa pritet të përfitojnë nga kjo masë, është një numër mjaft i madh, por ajo çka është më e madhe dhe më e rëndësishme është se janë rreth 100 milionë euro. Do të kishte qenë më mirë dhe më e përshtatshme që këto mjete të investohen në forma të tjera që të kenë efekte multiplikative në tërë ekonominë e vendit”, thekson Zeka.

Ditë më parë, qeveria i hapi rrugë rishikimit të pagës minimale me qëllim që atë ta bëjë 264 euro bruto. Zeka tha se ky është njëri prej vendimeve më të drejta të ekzekutivit.

“Propozimi (Projektligji) i qeverisë që niveli i ri i pagës minimale të jetë 250 euro neto, është shumë më i arsyeshëm përtej atyre propozimeve të tjera të cilat i kemi dëgjuar nga hisedarë të tjerë për një nivel të pagës 500 euro, 400, 450 euro. Kjo është një çështje që nuk duhet të bëhet pazar pasi që ekziston formula se si përcaktohet niveli i pagës minimale. Ndërhyrja në këtë formë, ose përcaktimi arbitrar nga ana e qeverisë, ka eliminuar mundësinë e keqpërdorimit ose imponimit të qëndrimeve të kundërta hisedarë që mund të jenë edhe anëtarë të Këshillit Ekonomik Social… Kështu që e vlerësojmë si njërin prej vendimeve më të drejta të qeverisë, i cili amortizon edhe presionin e mundshëm nga hisedarë të ndryshëm”, thekson ai.

Zeka po ashtu ka thënë se invazioni rus në Ukrainë ka prekur edhe ekonominë e Kosovës, me rritjen e çmimeve, por ai i ka propozuar qeverisë të aplikojë përgjysmimin e TVSh-së për artikujt esencialë dhe të ulë akcizën për produkte të tjera.

“Natyrisht çfarëdo çrregullimi në zinxhirin global të furnizimeve, si ato të shkaktuara pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, por edhe këto të fundit të shkaktuara pas nisjes së luftës në Ukrainë, kanë ndikim të pashmangshëm në ekonominë e vendit, e aq më tepër duke ditur që ne importojmë shumë mallra esencialë, artikuj ushqimorë, por në të njëjtën kohë edhe industria jonë prodhuese është e varur prej lëndëve të para të teknologjive e makinerive të importuara nga shtetet e tjera.

Kështu që të gjitha çrregullimet që krijohen në zinxhirin global të furnizimeve, e tash po bëhen mjaft shumë në këto tri vitet e fundit kanë ndikim të madh edhe në ekonominë tonë… Qeveria ka ndoshta masa të kufizuara në dispozicion që mund t’i aplikojë, por megjithatë ajo çfarë mund të bëjmë është të aplikojmë disa prej politikave fiskale, t’i rishikojmë ato dhe të zgjerohet lista e artikujve të cilat mund të lirohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ose të përgjysmohet TVSh-ja tek një numër artikujve.

Ne në Odën Ekonomike Amerikane e kemi thënë shumë shpesh që për këtë nuk ka nevojë të bëhen as ndryshime të ligjit përkatës pasi që ai mundëson përshkallëzimin e normave… Po ashtu të ulet akciza në produkte të tjera, ndoshta për momentin konsiderohen si mallra të luksit, por për shkak të rrethanave në të cilat po kalojmë mund të aplikohet normë me e ulët e akcizës”, thotë ai.

Këtë javë, qeveria mori vendim për dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pension-marrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe 100 euro për 80 mijë studentët. /kp/