Zbulohet preferenca e Xavi Simons mes interesimit të Bayern Munich dhe Chelseat

Bayern Munich rrezikon të humbasë Xavi Simons, pasi ylli i Leipzig ka ripërsëritur dëshirën e tij për t’u bashkuar me Chelsean.
Gjigantët bavarezë kanë qenë të lidhur ngushtë me një lëvizje për Simons, 22-vjeçarin holandez, pasi ky i fundit i kishte bërë me dije Leipzigut se dëshironte të largohej gjatë kësaj vere, pas dështimit të klubit për t’u kualifikuar në garat evropiane.
Sipas gazetarit të Sky Sports, Florian Plettenberg, Bayerni ka bërë një tjetër kërkesë drejt kampit të lojtarit për të vlerësuar nëse ai është i interesuar për një transferim në Mynih.
Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Bayern është informuar se Simons ka në mendje vetëm Chelsean dhe po pret që klubi londinez të arrijë një marrëveshje me Leipzigun.
Aktualisht, “Blutë” po përpiqen të shesin disa lojtarë për të mbledhur fonde të mjaftueshme që do t’u mundësonin të përmbushnin vlerësimin e Leipzigut për Simons, që raportohet të jetë rreth 60 milionë euro.
Në atë që mund të shndërrohet në një “karusel” transferimesh mes tre klubeve, raporti shton gjithashtu se Bayerni është në bisedime me Chelsean për të transferuar sulmuesin Christopher Nkunku.
Dhe nëse arrihet një marrëveshje mes dy klubeve, Chelsea e drejtuar nga Enzo Maresca mund të ketë atëherë mjetet financiare për të sjellë Xavi Simons në “Stamford Bridge”./Telegrafi/















































