Pesë parcela të kultivuara me kanabis në sipërfaqen pyjore të malit të Brretit janë zbuluar në një operacion të përbashkët të policisë së Krujës, Durrësit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana.

Në total, janë sekuestruar 855 fidanë kanabisi dhe janë asgjësuar më pas përmes djegies.


“Si rezultat i kontrolleve, gjatë kësaj faze të operacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në zonën pyjore të malit të Brretit, u konstatuan 5 ambiente të hapura ku u gjetën të kultivuar gjithsej 855 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa”, njofton policia.

Sakaq, policia vijon veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale për këtë çështje i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. /Telegrafi/