Zafir Berisha i bashkohet listës së AAK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Zafir Berisha ka bërë të ditur se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jetë pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ku shfaqet duke shtrënguar duart me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Berisha tha se në këtë garë zgjedhore po hyn me motivin për të kontribuar në luftimin e “të keqes që ka kapluar Kosovën”, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si mashtruese dhe të dëmshme për vendin.
“Me Ramush Haradinajn na lidh e kaluara për liri, por edhe përgjegjësia që kemi ndaj vendit nga i cili nuk heqim dorë. Prandaj rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, shkroi ai.
Në postimin e tij, Berisha kritikoi ashpër kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke e quajtur “kandidat kukull” dhe duke akuzuar figurat brenda partisë se po e përdorin atë për interesa të tyre.
“E di që kam shumë miq e bashkëpunëtor që kanë pritur të jap kontributin tim krah Bedri Hamzës. Por dua t’ju them hapur, Bedriu në këtë garë është vetëm një kandidat kukull në duarët e ‘pionerëve’ pa libreza të PDK… Unë nuk kam mund të jam pjesë e asaj loje”, ka shkruar ai.
Berisha theksoi se angazhimi i tij politik është për Kosovën dhe jo për “skenarë të dështuar” apo për “figurina politike që tunden sipas interesit të dikujt tjetër”.
Me këtë rreshtim, AAK-ja përforcon listën e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shtuar një figurë të njohur të spektrit politik kosovar.







































