Ylli i Arsenalit, Zinchenko tregon se a do të luftonte në Ukrainë nëse do të thirrej nga vendi i tij

Futbollisti i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko ka zbuluar se do të largohej nga Britania e Madhe për të luftuar në Ukrainë nëse do të thirrej.
27-vjeçari ka thënë për BBC Newsnight se ai ka dhuruar rreth 1 milion funte për të ndihmuar njerëzit në vendin e tij që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022.
Ai tha se Ukraina është bërë një "mburojë" për Evropën dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje.
Të mërkurën, presidenti i vendit nënshkroi në ligj një projektligj që ul moshën e mobilizimit ushtarak nga 27 në 25 vjeç.
Kjo do t'i mundësonte vendit të thërriste më shumë njerëz për të rimbushur rezervat e tij dhe vjen pasi Presidenti Volodymyr Zelensky tha në dhjetor se vendit do t'i duheshin 500 mijë ushtarë të tjerë për t'u mobilizuar.
“Unë mendoj se është një përgjigje e qartë. Unë do të shkoja të luftoja”, ka thënë fillimisht Zinchenkos, i cili shtoi se kishte ish-shokë të shkollës që luftonin në vijën e parë.
“Është e vështirë të kuptosh se kohët e fundit kemi qenë në të njëjtën shkollë, kemi luajtur në shesh lojërash ose në fushën e futbollit dhe tani ata duhet të mbrojnë vendin tonë”.
“Sinqerisht, është kaq e vështirë ta pranosh këtë, por është ajo që është. Ne nuk mund të heqim dorë”.
Zinchenko tha se situata në vend është "super e vështirë", por ai dhe familja e tij ishin "krenar për presidentin".
“Unë e di se ndoshta disa njerëz mund të mendojnë se është shumë më e lehtë për mua të jem këtu [në Londër] sesa të jem atje [në Ukrainë]. Unë me të vërtetë shpresoj se kjo luftë do të përfundojë së shpejti”.
“Unë do t'i mësoj fëmijët e mi atë që ata kanë bërë”, përfundoi ylli i Arsenalit. /Telegrafi/












































