Yjet e Harry Potter që po braktisin imazhin e fëmijërisë me role provokuese

Aktorët e Harry Potter u rritën para syve të publikut, por kalimi nga fëmijë magjistarë në aktorë të pavarur nuk ka qenë i lehtë.
Shumë prej tyre kanë zgjedhur role të guximshme, provokuese dhe shpesh kontroverse për të larguar një herë e mirë etiketën e fëmijës së Hogwartsit.
Aktori i fundit që bën këtë hap është Harry Melling, i njohur për rolin e Dudley Dursley. 36-vjeçari shfaqet në dramën romantike gej Pillion, e cila debutoi së fundmi me skena eksplicite BDSM, aq të forta sa versioni i shfaqur në Kanë u moderua për publikun, shkruan DailyMail.

Regjisori pranoi se shumë skena u prenë, përfshirë edhe pamje grafike seksuale, për të shmangur tronditjen e audiencës.
Melling, që ka humbur rreth 33 kg që nga koha e Potter, ka folur më herët për dëshirën e tij për t’u shkëputur nga imazhi i vjetër: “Duhet të ecësh përpara… shpresoj që ajo gjëja me Potterin të zhduket ngadalë”.

Ai nuk është i vetmi aktor i sagës që ka zgjedhur të trondisë publikun.
Daniel Radcliffe bëri kthesën më dramatike që në rolin e tij të parë pas Potter me dramën teatrale Equus, ku u shfaq plotësisht lakuriq në skenë për rreth 10 minuta.

Aktori ka treguar se ishte një mënyrë për të çliruar veten nga kufizimet e imazhit të Harry Potterit dhe për të fituar besim në trupin dhe lojën e tij.
Radcliffe vazhdoi të pranonte role të guximshme, duke shtuar se zhveshja në skenë e ndihmoi të thyente çdo barrierë psikologjike: “Nuk ka asgjë si një skenë nudo për t’i përballuar të gjitha frikërat e tua”.
Ndërthurja e roleve të reja provokuese nga Melling, Radcliffe dhe kolegët e tyre tregon një trend të qartë: yjet e dikurshëm të fëmijërisë po bëjnë gjithçka për të ndërtuar identitet të ri artistik edhe nëse kjo do të thotë të heqin çdo gjurmë të botës magjike që i bëri të famshëm. /Telegrafi/












































