Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka uruar Ditën e Goranëve që tradicionalisht shënohet me 6 maj, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për ruajtjen e identitetit kulturor dhe shpirtëror të këtij komuniteti.

"Me shprehjen popullore gorane 'Ku do që të jesh, për Shëngjergj në shtëpi të jesh', është nder dhe kënaqësi e veçantë që në cilësinë time si kryetar i Komunës së Dragashit dhe në emrin tim personal, të gjithë komunitetin goran që jeton në Komunën e Dragashit, në Kosovë dhe jashtë saj, ta përgëzoj 6 Majin - Ditën e Goranëve”, thuhet në urimin e Xheladinit, raporton Telegrafi.


Sipas tij kjo ditë, përveçse simbolizon ardhjen e pranverës dhe largimin e dimrit, “shpreh edhe dashurinë që keni për atdheun dhe për njëri-tjetrin, si dhe vendosmërinë tuaj për të jetuar në vatrat tuaja, ndjenjën tuaj shpirtërore për ruajtjen e gjuhës amtare dhe folklorit tuaj tradicional”.

“Të gjithë juve, banorëve të rajonit të Gorës që jeni pjesëmarrës në këtë ngjarje në një mënyrë ose në një tjetër, ju uroj një kohë të këndshme. Uroj që kjo festë, e cila fillon pasditen e 5 majit dhe zgjat gati një javë, t'ju sjellë gëzim, lumturi dhe miqësi midis jush! Së fundmi, miqtë e mi të dashur, ju uroj që ta festoni gjithmonë këtë festë dhe festat e tjera si qytetarë të barabartë të Komunës së Dragashit!”, ka theksuar Xheladini në urimin e tij. /Telegrafi/