LAJMI I FUNDIT:

Xhavit Haliti për marrëveshjen e Washingtonit: ‘Zotimet’ që u proklamuan, nuk u realizuan

Xhavit Haliti për marrëveshjen e Washingtonit: ‘Zotimet’ që u proklamuan, nuk u realizuan

Xhavit Haliti, anëtar i kryesisë së PDK-së, e ka quajtur “zotim”, marrëveshjen që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Kjo marrëveshje, është pasojë e bisedimeve të gjata që kanë ndodhur edhe në Washington edhe në Bruksel, por nuk do ta quaja marrëveshje, sepse ato janë zotime që janë bërë nga të dyja palët, me ndërmjetësimin e SHBA-ve”, ka thënë Haliti.


“Përzgjedhja e SHBA-së, për të ndërmjetësuar në fillim e procesit të madh dhe të gjatë në raportet Serbi – Kosovë, është e mirëseardhur, pasi procesi në tërësi ka qenë i bllokuar”.

Haliti në Klan Kosova, ka thënë që megjithatë në zotimet që janë bërë atje, ka vend për kritika.

“Shpesh kemi pasë debate se çfarë do të ndodhë në Uashington. Problemi kryesor, është që ne në proces po gënjejmë shumë; po gënjejmë qytetarët e Kosovës dhe vetveten. P.sh, gjithë kohën është proklamuar që po shkojmë më nënshkru njohjen e të dyja palëve, që Serbia ta njohë Kosovën, të drejtën e Kosovës për të qenë në OKB… Këto probleme, me të cilat kemi shkuar në Uashington, kryeministri Hoti ka shkuar me këto premtime dhe asnjëra nuk është realizuar”.

Haliti vlerëson që Brukseli dhe Uashingtoni janë në linja të njëjta për çështjen e Kosovës.

“Fuqia dhe linjat mbështetëse janë të ndryshme. Në aspektin ekonomik, Amerika dhe administrata e Trump-it ka një qëndrim strikt, me rregulla të cilat përpiqet t’ua imponojë të gjithëve. SHBA dhe BE do të duhej të vendosnin vet për të ardhmen e Kosovës”, tha Haliti.