Startup-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, xAI, po ndërton atë që pretendon të jetë superkompjuteri më i madh në botë.

Bëhet fjalë për një projekt që pritet të realizohet në Memphis, Tennessee, me një investim të vlerësuar prej 405.9 milionë dollarësh, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Megjithatë, projekti po përballet me një sfidë madhore: mungesën e energjisë së mjaftueshme nga rrjeti lokal për të mbështetur objektivin e tij për të operuar me 1 milion GPU.

Për ta zgjidhur këtë, xAI mund të ketë nevojë të ndërtojë një burim të vetin të energjisë në vend.

Superkompjuteri, i quajtur Colossus, do të mbështetet në çipet H100 dhe H200 të Nvidia-s, me kosto të mundshme hardware-i që mund të arrijnë në miliarda dollarë.

Zyrtarët e Memphis-it e kanë lavdëruar projektin si një "investim prej miliarda dollarësh" që mund ta pozicionojë qytetin si një qendër globale të AI.

Pavarësisht entuziazmit, mbeten shqetësime mbi realizueshmërinë e shkallëzimit të infrastrukturës për të përmbushur kërkesat e mëdha për energji. /Telegrafi/