Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, u ka kërkuar lojtarëve të tij të shmangin të njëjtat gabime si më herët gjatë sezonit, teksa skuadra e tij përgatitet për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit.

“Los Colchoneros” fituan 5-2 në përballjen e La Ligës në “Metropolitano”, por kësaj here rreziku është shumë më i madh.


Jo vetëm që është në lojë një trofe, por raportimet nga Madridi sugjerojnë se edhe pozicioni i Alonsos si trajner është në pikëpyetje.

Nëse “Los Blancos” mposhten nga Atletico, kjo mund të shënojë fundin e aventurës së tij në stolin madrilen. Trajneri bask u shpreh i bindur se Real Madridi do të paraqitet shumë më mirë këtë herë.

“Ne duam të luajmë një ndeshje ndryshe. Na mungoi diçka në disa aspekte dhe jemi shumë të vetëdijshëm për to, në mënyrë që të mos i përsërisim të njëjtat gabime”.

“Duam të luajmë në një nivel më të lartë. Jam i bindur se do të tregojmë një version më të mirë të vetes dhe se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar”.

“Gjërat evoluojnë. Për shembull, Militao ishte këtu dhe tani nuk është më. Ai nuk është një pikë absolute reference, por sigurisht ka gjëra që i marrim parasysh”.

Sa i përket faktit nëse humbja në “Metropolitano” shërbeu si një sinjal i hershëm për problemet që duhej të adresoheshin, Alonso nuk dha shumë detaje mbi planet e tij kundër Atletico Madridit.

“Çdo ndeshje duhet analizuar, dhe humbjet edhe më shumë. Ka gjëra që nuk duam t’i përsërisim. Do t’i mbajmë për vete. Jam i bindur se kjo herë do të jetë ndryshe”.

Tri sezonet e fundit kanë treguar se fituesi i Superkupës ka shkuar më pas drejt titullit kampion në La Liga. Alonso u pyet edhe për rëndësinë e këtij turneu, përtej situatës së tij personale.

“Dy gjëra janë të qarta: ky është turneu për të cilin po luajmë tani, ndaj është më i rëndësishmi për momentin. Në hierarkinë e sezonit, është i katërti, pas La Ligës, Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve”.

“Por është kompeticioni që kemi përpara tani, ndaj është prioritet absolut. Duhet të luajmë një ndeshje të mirë”./Telegrafi/

telegrafi sport app