Xabi Alonso ia ndryshon pozitën në fushë David Alabas, austriaku nuk do të luaj si mbrojtës
David Alaba mund të ketë një rol të ri te Real Madridi gjatë këtij sezoni nën urdhrat e Xabi Alonsos.
Sipas të përditshmes spanjolle Marca, trajneri Xabi Alonso po shqyrton mundësinë që ta përdorë 33-vjeçarin në qendër të mesfushës, larg pozitës së tij tradicionale në mbrojtje.
Sinjalet për këtë ndryshim erdhën gjatë miqësores së fundit kundër Leganes, të fituar 4-1 nga madrilenët. Alaba u aktivizua në pjesën e dytë dhe u vendos në mesfushë, duke treguar qartësisht se ky mund të jetë një skenar që Alonso do ta testojë edhe në ndeshje të tjera.
Ky pozicion nuk është i ri për austriakun. Ai ka luajtur si mesfushor edhe më parë te Bayern Munich dhe Hoffenheim, në një periudhë kur vetë Alonso ishte pjesë e skuadrës bavareze. Eksperienca në atë rol i jep trajnerit madrilen garanci se Alaba mund të përshtatet shpejt.
Arsyet që po e shtyjnë Alonson drejt këtij ndryshimi lidhen me situatën aktuale në repartin defensivë.
Afrimi i Dean Huijsen si dhe rikthimi nga lëndimi i Eder Militaos ka bërë që qendra e mbrojtjes të jetë e ngarkuar së bashku edhe me Antonio Rudiger dhe Raul Asencio.
Kjo e bën më të lehtë zhvendosjen e Alabës në një sektor ku aftësitë e tij teknike dhe vizioni i lojës mund të shfrytëzohen më shumë.
Austriaku ka pasimin e gjatë dhe qetësinë për të nisur aksione nga zona qendrore e fushës, elemente që Alonso i vlerëson lart.
Për momentin, nuk ka një vendim zyrtar për ta bërë këtë ndryshim të përhershëm, por minutat kundër Leganes dhe raportimet nga mediat spanjolle sugjerojnë se trajneri po e sheh si një alternativë të besueshme. /Telegrafi/
































