Rrjeti social WhatsApp, që është në pronësi të Facebook-ut e ka paditur firmën izraelite NSO Group, me pretendimin se shpërndau virus të dëmshëm në shumë pajisje telefonike.

Sipas WhatsApp, kjo firmë dërgoi softuerë me qëllim të mbikëqyrjes në më se 1,400 telefona, që u përkisnin kryesisht gazetarëve, aktivistëve për të drejtat e njeriut, disidentëve politikë dhe diplomatëve, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, NSO Group që merret me softuer për mbikëqyrje, kundërshtoi pretendimet.

“Zhvilluan softuer për të pasur qasje në mesazhe dhe forma tjera komunikimi, pasi i deshifruan të dhënat nga pajisjet e caktuara”, thuhet në padi, që WhatsApp e ka dorëzuar në gjykatë.

Besohet se NSO Group, krijojë disa llogari në WhatsApp dhe gjatë muajit prill dhe maj, arriti të ndërhynte në serverët e këtij rrjeti social. Shfrytëzuesit e prekur nga këto hakime telefonike, ishin kryesisht nga Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Meksika.

Me anë të një urdhri të përgjithshëm, WhatsApp po kërkon që t’i ndalojë NSO Group, të shfrytëzojë shërbimet që ofron.

“Në termat më të fortë të mundshëm, kundërshtojmë këto pretendime dhe do t’i luftojmë fuqishëm. Qëllimi i vetëm i NSO, është të sigurojë teknologji për agjencitë e licencuara të inteligjencës qeveritare dhe zbatimit të ligjit, për t’ju ndihmuar në luftimin e terrorizmit dhe krimit te rëndë”, thuhet në arsyetimin e NSO Group. /Telegrafi/