Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, të cilën e përshkroi si “të gjatë dhe miqësore”.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiq tha se me Lavrovin kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, realizimin e projekteve të përbashkëta, si dhe për koordinimin politik në organizata dhe institucione ndërkombëtare.


Në qendër të bisedës, sipas Vuçiqit, ishte Kosova, për të cilën ai përsëriti pretendimin se “popullsia serbe po përjeton përndjekje të vazhdueshme” dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar për “heshtje” ndaj situatës.

“Ministrin Lavrov e informova edhe për situatën e brendshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjendjen në Kosovë dhe përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Ai tha se gjatë bisedës është ndalur edhe tek zhvillimet në rajon, duke përmendur Bosnjë e Hercegovinën dhe, siç tha ai, “sulmet ndaj entitetit serb, Republikës Srpska”, si dhe krizën që sipas tij është “e nxitur nga jashtë”.