Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se të premten parashikohet mot i paqëndrueshëm, me vranësira mesatare deri të dendura.

SHMU njofton se reshjet e shiut parashikohen të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit fillimisht në veri e jug të vendit e gradualisht në të gjithë territorin, me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.


Gjatë orëve të mëngjesit në ekstremin verior, lokalisht në lindje dhe në jug reshjet priten të jenë me intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut parashikohet të vijojnë me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, lokalisht shtrëngata afatshkurtra. Në zonën e Alpeve, verilindje –juglindje mbi 800-900 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/