Kandidatja për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga subjekti politik “Lidhja e Prishtinës”, Vlerona Krasniqi Kozmaqi, ka shpallur angazhimin e saj për të përfaqësuar qytetarët në institucionet lokale, duke vënë në fokus zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e sigurisë publike dhe përmirësimin e shërbimeve për komunitetin.

E diplomuar në ekonomi dhe me përvojë në sektorin bankar, burimet njerëzore, administratë dhe farmaci, Krasniqi Kozmaqi vlerëson se përfshirja e saj në politikë është një hap drejt ndryshimeve konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve.


Ajo thekson se ka njohuri të afërta për nevojat e komunitetit, pasi është rritur në lagjen “Bajram Kelmendi” dhe aktualisht jeton në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.

“Ndryshimi fillon nga lagjja dhe përhapet në gjithë qytetin. Me energjinë, integritetin dhe përvojën time, jam gati të përfaqësoj çdo qytetar me dinjitet dhe përgjegjësi,” ka deklaruar kandidatja e “Lidhjes së Prishtinës”.