"Lajmi se gjykatësi Gjoko Ristov i janë gjetur 350 mijë euro të dyshuara si para korrupsioni nuk është vetëm një skandal individual. Ky lajm rrënon edhe atë grimcë të fundit besimi që qytetarët kanë pasur në sistemin e drejtësisë", thonë nga VLEN.

Ata gjithashtu thonë se janë të bindur se ky nuk është rast i izoluar, por maja e ajsbergut e një sistemi të kalbur, i cili për vite me radhë ka mbrojtur të fortët, ndërsa ka shtypur qytetarët e zakonshëm.


"Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se Gjoko Ristov nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Përkundrazi. Ai, së bashku me gjyqtarin Enver Bexheti tashmë i shpallur non grata, kanë qenë pjesë edhe e vendimeve gjyqësore që i hapën rrugën e lirisë Sasho Mijallkovit, simbolit të shtetit të kapur, i cili sot shëtit i lirë me Ferrari në Monaco".

"Kujtojmë se Enver Bexheti u sanksionua si non grata bashkë me të arratisurin nga drejtësia, po ashtu non grata Artan Grubi, pikërisht mbi bazën e dyshimeve se kanë ndikuar në vendime që i mundësuan Sasho Mijallkovit të gëzojë lirinë dhe t’i shpenzojë pasuritë e tij. Nëse dikush mendon se këto janë rastësi, atëherë nuk e kupton pse qytetarët janë të revoltuar".

"Prandaj sot shtrojmë disa pyetje konkrete: Në sa lëndë tjera kanë qenë të përfshirë Gjoko Ristov dhe Enver Bexheti? Në sa raste kanë qenë pjesë e vendimeve për paraburgim, garanci financiare apo zvarritje procedurash? Cilat vendime konkrete kanë prodhuar lirime dhe shmangie nga përgjegjësia për njerëz të fuqishëm? Pyetja kryesore që mbetet është kush i ka mbajtur këta njerëz në këto pozita për kaq vite dhe pse?", thonë nga VLEN.