VLEN: Bujar Osmani zbaton urdhrat e Ali Ahmetit dhe strukturave të vjetra të pushtetit

"Gënjeshtrat e Bujar Osmanit kanë kaluar çdo kufi, e vërteta tashmë nuk mund të fshihet", kështu reaguan sot nga koalicioni VLEN.
“Është bërë krejtësisht e qartë se gjatë gjithë karrierës së tij politike, Bujar Osmani jo vetëm që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna, por ka përdorur vazhdimisht gënjeshtra dhe manipulime për të mashtruar qytetarët shqiptar. E para, Bujar Osmani gënjeu lidhur me takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Ai publikisht e mohoi një gjë të tillë, ndërkohë që tashmë ekzistojnë dëshmi të qarta që e vërtetojnë të kundërtën. E dyta, ai gënjeu për kontaktet e tij me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë. Janë dokumentuar të paktën 11 takime, për të cilat ai asnjëherë nuk ka informuar opinionin publik apo ka dhënë llogari për përmbajtjen e tyre”, thanë nga VLEN.
“Pikërisht gjatë mandatit të tij u dha leja për hyrjen e kompanisë MTEL, e cila sot është aktive në tregun maqedonas. E katërta, ai vazhdimisht gënjeu për ndërtimin e rrugës drejt pikës kufitare në Bllacë. Ky projekt u shndërrua në premtim të përsëritur në çdo fushatë. VLEN kërkon përgjigje publike: Pse Bujar Osmani refuzon të japë shpjegime për personat dhe interesat që qëndrojnë pas hyrjes së kapitalit serb në fushën e telekomunikacionit dhe industrisë së lojërave të fatit në vend? VLEN rikujton se këto nuk janë raste të veçuara, por një model i qëndrueshëm dhe i rrezikshëm i sjelljes politike të Bujar Osmanit. Ai nuk është viktimë e rrethanave, është pjesëmarrës aktiv dhe i vetëdijshëm në këto zhvillime. Sot, ai përfaqëson më shumë interesat e Gruevskit, Mijallkovit dhe Beogradit sesa ato të qytetarëve shqiptarë. Ai është shndërruar në një zëdhënës dhe zbatues të urdhrave të Ali Ahmetit dhe strukturave të vjetra të pushtetit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Në fund, VLEN ka kërkuar që Bujar Osmani të tërhiqet nga jeta politike.







































