Viti i parë në Kosovë ishte i suksesshëm, Lavdim Zumberi largohet nga Feronikeli '74 dhe vërshohet nga ofertat:

Lavdim Zumberi ka mbetur lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij të parë në futbollin kosovar me skuadrën e Feronikelit '74.
Mesfushori 25-vjeçar, i rritur në Zvicër, mbërriti në Kosovë me synimin për të bërë një hap përpara në karrierë, dhe sezoni i fundit e ndihmoi të dëshmojë vlerat e tij në fushë.
Zumberi, i cili më parë ka luajtur me FC Zurich në Superligën zvicerane dhe me Wil në Challenge League, pati paraqitje mjaft pozitive në aspektin individual.
Ai kontribuoi me dy gola dhe katër asistime gjatë sezonit, duke qenë futbollisti kryesor i Niklit, pasi çdo aksion nisej nga këmbët e tij në 22 ndeshje sa luajti.
“Erdha në Kosovë për të marrë më shumë hapësirë dhe për të treguar cilësitë e mia. Besoj se ia dola ta bëj këtë në shumë ndeshje”, u shpreh Zumberi pas largimit nga skuadra.
Pas përfundimit të kontratës, mesfushori është tashmë lojtar i lirë dhe ka tërhequr interesimin e disa klubeve nga Superliga e Kosovës. Përveç kësaj, kontakte me të kanë pasur edhe skuadra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe një ofertë interesante nga Serie C në Itali.
“Ka interes konkret dhe po shqyrtojmë ofertat me kujdes. Objektivi im është të zgjedh ambientin më të mirë për zhvillimin tim si futbollist”, shtoi ai.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Zumberit, ndërsa ai vetë thekson se ndihet gati për sfidën e radhës.
"Jam mirënjohës për përvojën me Feronikelin '74 dhe për mbështetjen që mora. Tani është koha për një kapitull të ri”, përfundoi mesfushori. /Telegrafi/







































