Po përmbyllet një vit jashtëzakonisht i suksesshëm në futbollin kosovar, me shumë të arritura, si nga Kombëtarja e Kosovës, ashtu edhe nga klubet tona në arenën ndërkombëtare.

Federata e Futbollit të Kosovës ka ndarë çmimet për 'Laureatët e Vitit', derisa Arb Manaj mori çmimin kryesor si futbollisti i vitit në Kosovë.


Por ajo që ka bërë temë diskutimi në 48 orët e fundit në vendin tonë është çmimi që ka marrë Manaj, i cili është viti i tretë radhazi që i ndahet futbollistit më të mirë në Superligë.

Më herët këtë çmim e ka marrë Lumbardh Dellova, ndërsa vitin e kaluar i takoi Lindon Emërllahut.

Vepra nuk mban titullin 'Topi i Artë'. Telegrafi ka kontaktuar FFK-në, të cilët kanë treguar se këtë vepër dhe çmimet tjera i ka realizuar artisti Sali Shkupolli.

Telegrafi gjithashtu ka kontaktuar artistin, i cili ka dhënë detaje mbi çmimet e punuara.

"Kjo vepër nuk është një “laker” dekorativ apo objekt ornamental i zakonshëm, por një studim i thelluar mbi materialin dhe procesin. Ajo është punuar me poliester të përforcuar dhe pluhur mermeri për të krijuar masivitet dhe teksturë të qëndrueshme, ndërsa shtresat e bakrit kontribuojnë në formimin e një patine që ndërvepron në mënyrë dinamike me sipërfaqen dhe dritën".

"Ky kombinim materialesh gjeneron një dialog të vazhdueshëm ndërmjet ngrohtësisë metalike dhe masës së ngurtë, duke synuar jo vetëm efektin vizual, por edhe reflektimin mbi materialitetin, kohën dhe procesin krijues. Sipërfaqja e punuar ruan dhe ekspozon gjurmët e dorës së artistit, një zgjedhje e vetëdijshme konceptuale dhe teknike, që thekson autenticitetin e veprës".

"Vepra nuk mban titullin “Topi i Artë”, pasi nuk synon të imitojë apo të referojë drejtpërdrejt çmime ndërkombëtare ekzistuese. Ajo është konceptuar si çmimi për Futbollistin e Vitit, me identitet të pavarur artistik dhe simbolik. E punuar në mënyrë autentike në Kosovë, kjo vepër përmban motive dhe ndjeshmëri që lidhen drejtpërdrejt me kontekstin kulturor dhe sportiv të vendit tonë".

"Ajo nuk është një kopje e importuar apo objekt i blerë nga jashtë, por një krijim origjinal që përfaqëson vlerësimin e arritjeve sportive përmes gjuhës së artit bashkëkohor vendor. Ky top tashmë është tradicional, duke u shndërruar në një simbol të veçantë të nderimit për futbollistin më të mirë të vitit", ka thënë autori i çmimeve, Sali Shkupolli. /Telegrafi/


telegrafi sport app