Vinicius Junior ka folur për të ardhmen e tij afatgjatë te Real Madrid, teksa po i afrohet vitit të fundit të kontratës aktuale.

Sulmuesi brazilian ndodhet aktualisht në grumbullim me përfaqësuesen e Brazil, por beson se po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij në nivel klubesh.


Ylli brazilian ka ndërhyrë për të qetësuar spekulimet rreth së ardhmes së tij. 25-vjeçari po i afrohet një momenti kyç në karrierë, pasi kontrata e tij aktuale në “Bernabeu” skadon në vitin 2027.

Kjo do të thotë se ai do të hyjë në 12 muajt e fundit të marrëveshjes gjatë kësaj vere, një situatë që zakonisht tërheq vëmendjen e klubeve elitare evropiane.

Megjithatë, Vinicius e ka bërë shumë të qartë se ku qëndrojnë prioritetet e tij. Duke folur gjatë angazhimit me Brazilin, anësori shprehu dëshirën për të qëndruar në kryeqytetin spanjoll edhe për shumë kohë.

“Unë po mendoj vetëm për Real Madridin dhe për të qëndruar aty për një kohë të gjatë”, ka deklaruar Vinicius në një intervistë për Marca.

Komentet e tij vijnë si një lajm shumë pozitiv për klubin, i cili synon të sigurojë të ardhmen e njërit prej lojtarëve kyç përtej kontratës aktuale.

Ndërkohë, duke folur për të ardhmen e tij në klub, Vinicius preku edhe bashkëpunimin me ish-trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, i cili tani drejton kombëtaren e Brazilit.

“Trajneri gjithmonë flet me lojtarët. Ai na pyet për pozicionin ku duam të luajmë, si preferojmë të mbrohemi, por vendimi përfundimtar është i tij. Kjo bisedë është e rëndësishme për ne, sepse gjithmonë mësojmë prej tij”, ka deklaruar ylli i Real Madridit./Telegrafi/

telegrafi sport app