LAJMI I FUNDIT:

Vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut në Prizren

Vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut në Prizren

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, sot në Prizren është vendosur gurthemeli i shtatores së kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, projekt ky që ka kushtuar 70 mijë euro dhe që do të jetë i gatshëm në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Në ceremoninë solemne të vendosjes së këtij gurthemeli morën pjesë një numër i madh qytetarësh të Prizrenit, të prirë nga kryetari i Komunës Mytaher Haskukaj.


Ai me këtë rast tha se ky aktivitet bëhet së bashku me Trojet e Arbrit dhe se janë dakorduar që vendi ku do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriot-Skënderbeut të marrë emrin e kryetrimit të madh shqiptar.

“Sot më 28 nëntor po bëjmë vendosjen e gurthemelit të shtatores së Skënderbeut s[ bashku me organizatën Trojet e Arbrit, të cilët do ta bëjë së bashku me artistët shtatoren e Skënderbeut. Ne jemi dakorduar që të ketë edhe një shesh tjetpër të Prizrenit dhe ky do të jetë sheshi kryesor. Në mars të vitit 2020 do të kemi shtatoren gati dhe do ta vendosim këtu. Sot është vetëm simbolika e datës dhe faktikisht këtu do të kemi shtatoren e Skënderbeut”, tha Haskukaj.

Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve gjithshqiptar Ndue Oroshi vendosjen e gurthemelit për heroin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, e ka quajtur një ditë të madhe për Prizrenin, teksa bëri të ditur se financimi i projektit do të bëhet nga Qendra Trojet e Arbrit.

“Sot është një ditë e madhe për Prizrenin, sepse në këtë qytet historik po kthehet Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sepse dihet historikisht se qendra e Kastriotëve ka qenë në Prizren. Falënderoj kryetarin Haskukaj dhe drejtorin Hajdari për një punë të madhe dhe asamblenë komunale në Prizren për vendimin që e kanë marrë për ndërtimin e monumentit Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Qendra Trojet e Arbrit do ta bëjë financimin e monumentit. Falënderoj mërgimtarët shqiptarë në Zvicër, Amerikë Gjermani që kanë tubuar mjetet dhe më 2 mars ky monument do të jetë i gatshëm. Monumenti do të jetë 3.30 metra në gjatësi, së bashku me bazën do të shkojë në pesë metra. Së bashku me Komunën kemi bërë një marrëveshje që ky shesh të quhet sheshi Skënderbeu dhe besoj se asambleja komunale do ta aprovojë këtë vendim”, tha Oroshi.

Një fjalë rastin në vendosjen e gurthemelit në vendin që në të ardhmen do të quhet sheshi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ka mbajtur edhe Selim Krasniqi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prizren.

“Gurthemeli i Skënderbeut është një vend shumë i mirë, shumë i qëlluar dhe Prizreni e meriton këtë. Tash edhe ma mirë i rregulluar dhe premtuan edhe shokët se do të bëhet një shesh i mirë në këtë anë, pasi është mbi një hektar”, tha Krasniqi.

Drejtori i administratës së Komunës së Prizrenit Osman Hajdari tha se projekti për ngritjen e monumentit kushtuar Gjergj Kastriot-Skënderbeut ka marrë mbështetjen e të gjitha partive politike në këtë komunë.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur brenda datës së caktuar, sot është 28 Nëntori të vendoset gurthemeli i shtatores së Skënderbeut. Është një prej projekteve që ka më së shumti unitet politik…Do t’i ndjekim procedurat ligjore në asamblenë e qytetit për të emërtuar sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu që qytetit do t’i japë pamje tjetër edhe në zhvillimin social dhe ekonomik”, tha ai.

Ndryshe, ngritja e shtatores së Gjergj Kastriot-Skënderbeut do të bëhet më datën 2 mars 2020./kp/Telegrafi/