Poezi nga: Alice Guerin Crist Përktheu: Alfred Kola

Natën e kaluar, po dëgjoja
Erën dhe shiun, në vetmi,
Ai zuri karrigen bri meje,
Vetja e tij – erdh’ sërish në shtëpi.


Sytë blu me ëndje po i qeshnin
Nën ato thinja poshtë çatisë,
Vendosi dorën mbi dorën time,
Mënyra e vjetër e dashurisë.

E shtypa faqen përmbi të,
Duke kujtuar ato hidhërime
Kur mundte mundin e përditshëm
Edhe pa buzëqeshjen time.

Prapë, vaktet ishin përherë me shije,
Rrobat e pastra të mirëmbajtura shumë,
Fqinjët, sigurisht, do t’ju tregojnë,
Sa grua e mrekullueshme isha unë.

Porse në ndemjen dhe luftën e Jetës,
Ne u larguam pak si tepër
Ju i njihni nënat irlandeze,
Janë “fëmijët” që ua mbajnë zemrën.

U bë i zymtë, dhe gojëkyçur,
Dhe ditë për ditë më i rënduar,
I gjori – i stërlodhur për të qeshur,
Shumë i shqetësuar për të qenë i gëzuar.

Por – si na mbronte kujdesi i tij,
Pavarësisht se ishte aq i rreptë,
Pikërisht trarët e shtëpisë sonë
U prenë e u vendosën nga ai vetë.

Dhe unë, që mund ta kisha gëzuar,
Fjalë të hidhura i kam lëshuar,
Oh! Zot, që neve na kujtohen,
Veç kur ata të jenë larguar.

Por tani – hodha krahët rreth tij,
Plot me lule dukej dhoma,
U kthye rinia dhe drita e diellit,
Kohë e mrekullueshme ishte e jona.

Drita e zjarrit flakëronte, luhatej,
Dhe thëngjijtë u bënë thërrime,
Unë u zgjova të zbrazja heshtjen,
Me trishtim në zemrën time.

Erërat e egra sollën mëngjesin,
Agimi ishte i kuq, i ftohtë,
Dhe Vetja e tij po flinte i shtrirë
Lart te varrezat përmbi kodër!