Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Me dy vota për, dy kundër kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së të enjten.


Anëtarët e partive të tjera politike në KQZ abstenuan nga votimi dhe thanë se institucionet e sigurisë duhet t'i verifikojnë pretendimet e Kurteshit dhe Krasniqit lidhur me historinë e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale, para se ata të hidhen përsëri në votim.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka deklaruar se është kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kurteshi, ka kritikuar Listën Srpska duke thënë se kjo parti ka një të kaluar dhe një të tashme terroriste.

“Ne e kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj ka elemente të tjera, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre kemi persona që në të vërtetë në mënyrë subversive punojnë kundër Republikës së Kosovës”, tha Kurteshi.

Nga ana tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, tha se partia e tij nuk mori pjesë në votim derisa institucionet e sigurisë të japin udhëzime të qarta.

“Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim, abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionet e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, deklaroi ai.

Elshani theksoi gjithashtu se PDK-ja nuk dëshiron të bëhet pjesë e një “lufte mediale” dhe se procesi duhet të jetë krejtësisht institucional.

Ndërkaq Alban Krasniqi, anëtar tjetër i LVV-së në KQZ, ka thënë se zyra për regjistrim partish i ka këto informata.

“Prej katër komunave janë së paku 24 persona me të kaluar kriminale, por edhe në kërkim e që janë të gjithë pothuajse pjesë e strukturave paralele që Serbia ende i mban gjallë në Kosovë përmes lidhjeve të saj. Këto janë informacione që jam shumë i bindur që zyra i posedon dhe shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë se a duhet lejuar ne si KQZ që nëse disa kandidatë që na vijnë, në këtë rast nga Lista Serbe, do të duhej t’i certifikonim nëse janë pjesë e strukturave paralele e disa edhe të organizatave që nga organet shtetërore janë shpallur terroriste”, ka thënë ai.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor./Telegrafi/