"Vetëm fitorja na bën punë” - Sylvinho flet para duelit me Gjeorgjinë

Pas ndeshjes me Çekinë, Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë nesër ndeshjen e dytë të muajit tetor ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në prag të kësaj sfide, përzgjedhësi Sylvinho doli në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet ndeshja, “Mikheil Meskhi”.
Sylvinho tha se Shqipërisë i duhet vetëm rezultat pozitiv nesër në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë për të arritur objektivin që është vendi i parë në grup. Trajneri vlerësoi Gjeorgjinë, ndërsa iu rikthye ndeshjes së parë me këtë kundërshtar në Tiranë, komentoi mungesat e Gjeorgjisë dhe foli për skuadrën, ndërsa nuk dha asnjë detaj rreth formacionit që pritet të hedhë nesër në fushë.
Mungesat te Gjeorgjia – Kçorashvili është një lojtar i madh, por themi se janë një ekip i fortë, taktikisht i rreshtuar shumë mirë, ka edhe shumë lojtarë të mirë. Është një ekip i fortë, fizikisht, taktikisht, ka cilësi teknike, nisen në kundërsulm me shumë kualitet. Thuajse gjithmonë shkojnë në portë. Ai është mungesë e rëndësishme se është lojtar i mirë por jam i sigurt se kush shkon në fushë do jetë me 100 km/orë. Nuk ndryshon gjë për ne, është ekip i fortë për t’u mundur, nuk është ekip i thjeshtë.
A ndiheni në presion para kësaj ndeshje? – Nesër duhet të marrim pikë duke qenë se bëhet e vështirë për ta arritur objektivin. Ne duhet të jetojmë me këtë realitet. E dimë që nëse marrim një rezultat negativ nesër, nuk na shërben për të arritur objektivin që ne kemi. Ne na shërben nesër vetëm fitorja dhe tre pikët. Kemi një mini-avantazh, duke qenë se në nëntor, i luajmë të dyja ndeshjet e fundit të edicionit në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që ne të japim 100% tonë nesër dhe të marrim rezultat pozitiv. Ata janë shumë të fortë, por edhe ne jemi një ekip i fortë.
Fitorja e Gjeorgjisë në Tiranë dhe ndeshja Ukrainë-Gjeorgji? – Që në fillim kam menduar se grupi është shumë i ekuilibruar, ka balancë në grup, do të ndahen shumë pikë nga të gjithë anët, çdo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, mund të ndodhë gjithçka. Ndeshja e parë në Tiranë sipas meje ishte një ndeshje 50-50, ndeshje e vështirë taktike dhe fizike. Gjeorgjia është një ekip i madh, Sanjol po bën një punë shumë të mirë prej kohësh, po bën shumë mirë, ka në ekip lojtarë të mëdhenj. E kemi parë ndeshjen, por duhet të mundohemi të bëjmë diçka ndryshe, por po luajmë jashtë, do të jetë e vështirë, të shohim. Më e rëndësishme është të dalim në fushë dhe të bëjmë gjithçka. Ne kemi respekt për Gjeorgjinë, por nuk kemi kohë për të humbur, do të jetë një ndeshje e vështirë. Ndeshjen e Gjeorgjisë me Ukrainën e pashë, ishte 50-50, ndeshje e vështirë. Ukraina ka lojtarë të mirë, por Gjeorgjia bëri mirë. Por në fund është balanca mes të gjithëve, me një gabim pëson gol dhe je i vdekur. Kjo është ajo që ndodhi me Gjeorgjinë. Nesër pres të njëjtën ndeshje, shumë të vështirë, duhet shmangur çdo gabim, por do të jetë shumë e vështirë për këdo.





















































