Vetëm barazim për Shkëndijën në Manastir

Futbollistët e Pelisterit dhe Shkëndijës zhvilluan një ndeshje pa gola (0-0) në mbyllje të javës së nëntë të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, njofton Telegrafi.
Takimi i luajtur në stadiumin “Petar Milloshevski” në Manastir nuk solli emocionet e pritura, megjithëse të dy skuadrat patën disa raste për të shënuar.
Ndeshja nisi në kushte shiu dhe me një lojë të kujdesshme nga të dyja palët, pa rrezikuar shumë në minutat e para. Ishte Shkëndija që mori iniciativën e parë ofensive, edhe pse me një formacion të kombinuar. Florent Ramadani u gjend në rast të mirë, por portieri vendas Andrej Jovçevski reagoi saktë. Pak më vonë, Zejnullai provoi nga një goditje dënimi, por sërish pa sukses. Të tjerë tentime të kuqezinjve u ndalën nga mbrojtja e Pelisterit. Pas këtyre momenteve, vendasit arritën të qetësojnë lojën dhe të krijojnë disa aksione, por pa rrezik të madh për portën e mysafirëve.
Edhe pjesa e dytë solli një lojë të ngjashme. Pelisteri kërkoi shanset e saja në kundërsulme dhe tranzicione të shpejta. Ndërkohë, trajneri Beqiri futi në lojë lojtarë si Ibraimi, Latifi, Krasniqi e Tamba, por as kjo nuk mjaftoi që Shkëndija të dominonte plotësisht. Përkundrazi, Pelister pati rastin më të madh të takimit me të riun Jovan Mrmaçovski, por goditja e tij u ndal nga portieri Amzai. Nga goditja e këndit që pasoi, Krstevski tentoi me kokë, por topi kaloi mbi portë.
Me kalimin e minutave Shkëndija shtoi presionin dhe e mori kontrollin e mesfushës. Fabrice Tamba pati një mundësi të mirë nga brenda zonës, por Jovçevski sërish u tregua i pakalueshëm. Deri në fund, Pelisteri rezistoi me sukses dhe mori një pikë të vlefshme kundër kampionit në fuqi, edhe pse në sekondat e fundit Trumçi nuk arriti të shënojë për kuqezinjtë.
Me këtë barazim, Shkëndija humbi mundësinë të ngjitej në vendin e dytë, duke mbetur me 21 pikë, aq sa ka edhe Vardari i pozicionuar i dyti. Ndërkohë, Pelisteri me këtë barazim arrin kuotën e 7 pikëve dhe qëndron në vendin e dhjetë të renditjes. /Telegrafi/


















































