LAJMI I FUNDIT:

Vërshimet në Gjakovë, situatë më e rënduar në Brekoc

Vërshimet në Gjakovë, situatë më e rënduar në Brekoc

Reshjet e shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha edhe në Komunën e Gjakovës. Pjesë më e rrezikuar nga vërshimet në Gjakovë, është fshati Brekoc, më saktësisht banorët e rrugës “Shote Galica”, ku nëntë familje kanë qenë më të rrezikuarat mbrëmë gjatë vërshimeve.

Blerta Qela, udhëheqëse e sektorit të Mirëqenies Sociale në Drejtorinë e Shëndetësisë tha se Komuna u ka dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, por të njëjtit kanë thënë se kanë gjetur mbështetje afatshkurtër te të afërmit.


“Janë të rrezikuara nëntë familje… Banorët janë duke shikuar të shkojnë te të afërmit derisa të kalojë shiu dhe uji. Ne si komunë do të vazhdojmë me pagesat e qirasë ose me sistemimin e tyre ku këta dëshirojnë të sistemohen… Kanë gjetur mbështetje diku tjetër te familjarët e tyre. Për momentin nuk po pranojnë ndihmën për sistemim sonte, nesër do të vazhdojnë të gjejnë një qëndrim më të gjatë, sepse siç e dimë tashmë jemi duke hyrë në ditë me të reshura dhe nuk pritet qe këta të munden të banojnë këtu”, tha ajo.

Më tej, Qela thotë se Komuna do t’ua paguajë qiranë familjarëve, të cilët janë detyruar të evakuohen dhe të gjejnë strehim diku tjetër si pasojë e vërshimeve.

“Sot për sot nuk mund të mbërrijmë t’i sistemojmë, por prej nesër ne do t’ju bëjmë pagesat e qirasë dhe këta sistemohen, kryetari i komunës iu ofrojë zgjidhje si pagesa e qirasë, ushqim veshmbathje e të gjitha”, tha ajo.

Jeton Ibrahimaj, banor në fshatin Brekoc, tha se dëmet kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Ai tha se janë munduar që fëmijët të paktën t’i strehojnë të disa familjarë.

“Kemi dëme të mëdha. Nuk kemi mund të shpëtojmë asgjë përveç rrobave të trupit. Fëmijët i kemi strehuar te disa kushërirë”, tha ai.

Ibrahimaj thotë se janë duke shikuar mundësinë të gjejnë ndonjë strehim në një vend tjetër, pasi sipas tij ka qenë premtim i kryetarit për t’ua paguar qiranë.

“Na ka premtuar kryetari që në rast se gjejmë ne shtëpitë do të na paguajë qiranë. Jemi duke shikuar nëse mundemi me gjet ndonjë strehim, mirëpo nuk momentalisht”, tha ai.

Bisnik Imeraj, banor tjetër i kësaj lagjeje, thotë se vërshimet i kanë shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi. Ndërsa ka kërkuar nga Komuna t’i largojë nga kjo lagje, pasi sipas tij nuk ka zgjidhje tjetër.

“Sot në orën shtatë të mëngjesit na ka hyrë uji nga lumi Erenik brenda. Na ka bërë dëme të mëdha. Kanë qenë të komunës për vizitë dhe jemi duke shikuar se çfarë po bëhet. Po shikojmë të gjejmë ndonjë banesë…Prej kryetarit kërkojmë të na largojë nga këtu sepse qe katër vjet ne jemi problem me këtë punë, gjithë verën punojmë dimrit shkon dëm rregullojmë pasi përsëri hyn uji”, tha ai.

Ndërkaq, Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës ka thënë se familjet e rrezikuara nga vërshimet nuk do të shkojnë për strehim në aeroportin e Gjakovës siç ka ndodhur edhe më herët, por sipas tij do të mundohen të gjejnë zgjidhje më afatgjate për këta banorë.

“Në ditët që vijnë shumë shpejtë do ta bëjmë vlerësimin se cilat janë ato shtëpi që kanë pësuar më shumë dëme. Në disa zona të qytetit i kemi banime gjysëmformale ose jo formale, sidomos në afërsi të lumit Erenik kemi pasur dëme më të mëdha, ku disa familje janë evakuuar për shkak se ka rrezikshmëri në atë pjesë… Nuk do të shkojnë në aeroportin e Gjakovës, pasi që janë bërë zgjidhje të ndërmjetme. Në aeroport i kemi pasur në të kaluar familjet, por sonte nuk do të jenë në shtëpitë e veta, do të jenë në shtëpi të tjera, qoftë me qira, qofshin te të afërmit. Ndërsa në ditët që vinë do të kemi zgjidhje më afatgjate”, tha ai.

Kryetari Gjini thotë se vërshime ka pasur edhe në disa zona që nuk janë afër lumenjve. Sipas tij ka pasur vërshime në disa shtëpi që nuk kanë qenë më parë të vërshuar nga reshjet atmosferike.

“Kemi pasur sasi tepër të madhe të reshjeve për një kohë shumë të shkurtër. Dëmet kryesisht i kemi në qytet, në zonat e fshatrave më pak se në qytet. Ka pasur reshje të tilla që janë vërshuar edhe shtëpitë, të cilat kurrë më përpara nuk janë vërshuar. Janë disa zona të larta, nuk janë afër lumenjve ose diku tjetër, ku nuk ka pasur depërtim të ujit të kaluarën, sidoqoftë ka dëme”, ka deklaruar Gjini.

Gjini tha se në ditët në vazhdim do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në shtëpia.

Ai po ashtu tha se sot për vizitë në këtë Komunë kanë qenë dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi. Ndërsa ka shtuar se dy ministrat janë shprehur të gatshëm për ndihmë të qytetareve në gjitha aspektet.

“Përmes Agjencisë së menaxhimit së emergjencave kemi marrë pompë të kapaciteteve të mëdha ku bëjnë tërheqjen e ujit në disa bodrume ku ka pasur vërshime dhe dy ministrat janë shprehur që qeveria është e gatshme të ndihmojë në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.

Ndryshe, nga vërshimet janë prekur edhe lagjet “Yllka Domi”, “Dërgut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës.

Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës, të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera. /kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kalo në kategori