Vlora mbylli 3 muajt me fluksin më të madh turistik, nga qershori në gusht. Por operatorët turistikë në jug të vendit nuk janë të kënaqur me ecurinë e kësaj vere. Vizitueshmëria nuk është brenda pritshmërive.

“Edhe pse me më shumë përgatitje dhe kapacitete të shtuara, sezoni veror i vitit 2025 nuk arriti të përmbushte pritshmëritë. Fluksi i turistëve ishte më i ulët se sa ishte parashikuar, pavarësisht se vera u zgjat në kohë”, raporton Tv Klan.


Shqiptarët e Kosovës mbeten besnikë të bregdetit të Jonit, por shifrat e tyre kanë qenë më të ulëta këtë verë.

Këtë vit ka pasur më pak vizitorë edhe nga Italia, krahasuar me vitet e shkuara. Porta kryesore e mbërritjes së vizitorëve në qytetin e Vlorës mbetet porti i qytetit.

Kur flasin për sezon turistik të suksesshëm, operatorët turistikë i referohen vitit 2019, atëherë kur Vlora u vizitua në masë dhe ata që operojnë në këtë sektor vendosën që të shtonin kapacitetet.

Por, ndihmuar nga kushtet favorizuese të motit, sezoni turistik në Vlorë është zgjatur. Hotelet janë të mirëprenotuara edhe për muajin tetor. Numri më i lartë i vizitorëve në këtë periudhë është nga Europa, nga vende si Gjermania, Spanja apo Franca. Flukset më të shumta janë gjatë fundjavave.

Por ata shprehin më shumë ankesa për çmimet me të cilat abuzohet, si dhe për shërbimin e ofruar nga hotelierët. Një sfidë për sektorin e turizmit mbetet edhe vizitueshmëria gjatë 12 muajve të vitit.