Vëllaznimi i Gjakovës ka në radhët e veta një talent premtues të sulmit në futbollin kosovar. Bëhet fjalë për Erjon Gashin, sulmuesin e ri që ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat dhe tashmë është gati të lërë gjurmë në ekipin e parë.

Gashi debutoi me ekipin e seniorëve sezonin e kaluar në Ligën e Parë dhe shkëlqeu menjëherë, duke shënuar në ndeshjen e tij të parë.

18-vjeçari ka qenë pjesë e Vëllaznimit prej dy vitesh, ndërsa futbollin e ka nisur në moshën vetëm 8-vjeçare.


Statistikat e tij në grupmoshat e reja flasin vetë

Sezoni 2023/24 – U17: 16 paraqitje, 25 gola

Sezoni 2024/25 – U19: 23 paraqitje, 18 gola


Këto shifra e vendosin atë si një nga sulmuesit më produktivë të shkollës së Vëllaznimit, dhe pritshmëritë janë të larta për kontributin e tij në ekipin e parë këtë sezon.

Në një deklaratë për Telegrafin, vet Gashi u shpreh i vendosur për të ndihmuar skuadrën dhe për të dëshmuar veten si një sulmues modern dhe efikas.

“Qëllimi im këtë sezon është të jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën me gola, asiste dhe lëvizje vendimtare në fazën sulmuese. Dua të përmirësoj instinktin tim për gol, vendimmarrjen para portës dhe lëvizjen pa top”.

“Për mua ky është një sezon i rëndësishëm për të treguar potencialin tim si sulmues dhe për të qenë vazhdimisht në formë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ekipit. Jam i përkushtuar të punoj fort dhe të jem gjithmonë një rrezik për çdo mbrojtje kundërshtare”, deklaroi Gashi për Telegrafin.

Me punën, talentin dhe përkushtimin që ka treguar, Gashi shihet si një "xhevahir i sulmit gjakovar", i gatshëm për të lënë gjurmë te kuqezinjtë dhe për të qenë një aset i rëndësishëm për të ardhmen e klubit. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app