LAJMI I FUNDIT:

Vëllaznimi fiton Ligën Unike pas një finaleje dramatike ndaj Prishtinës 

Vëllaznimi fiton Ligën Unike pas një finaleje dramatike ndaj Prishtinës 

Vëllaznimi i Gjakovës është shpallur kampion i edicionit të katërt të Ligës Unike, duke mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 91:88 pas vazhdimeve.  

Ndeshja e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ishte dramë që u vendosë në sekondat e fundit. 

Sigal Prishtina ishte në epërsi 78:77 kur Arian Azemi, katër sekonda para fundit, realizoi vetëm njërën nga dy gjuajtjet e lira për barazim 78:78.  


Rashid Mahalbasic bëri një pasim të gabuar, ndërsa Arbër Sinani nga Vëllaznimi nuk arriti të shënonte për tri pikë një sekondë para fundit, duke e çuar ndeshjen në vazhdime. 

May be an image of volleyball, basketball, crowd and text

Në pesë minutat shtesë, Vëllaznimi tregoi më shumë qetësi. Kapiteni Atik Koshi shënoi dy pikë nga gjuajtjet e lira për 89:86, ndërsa Clark i Prishtinës ngushtoi në 89:88.  

Në kundërsulm, Sinani realizoi për 91:88. Fisnik Rugova provoi për tri pikë nga gjysma e fushës, por dështoi, duke konfirmuar fitoren e Vëllaznimit. 

Arian Azemi ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 24 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime. Te Prishtina u dallua Mahalbasic me 19 pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime, por të pamjaftueshme për të shmangur humbjen. 

Turneu i Ligës Unike u mbyll pa ndeshje për vendin e tretë, pasi Golden Eagle Ylli refuzoi të luante ndaj Besëlidhjes për shkak të mbingarkesës dhe lëndimeve. Ylli kishte fituar edicionin e parë të Ligës Unike, ndërsa Peja dhe Trepça triumfuan në dy edicionet pasuese. 

Te basketbollistet, Flamurtari u shpall kampion i Ligës Unike, duke mundur Pejën 03 në finalen e mbajtur në Vlorë./Telegrafi/