Veldin Hoxha para sfidës me Turqinë: Fokusi është vetëm te kualifikimi, do të japim maksimumin për ëndrrën e Botërorit

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Veldin Hoxha, ka theksuar se skuadra tashmë ka lënë pas fitoren e fundit dhe është plotësisht e fokusuar te përballja ndaj Turqisë, që do të zhvillohet të martën mbrëma në Prishtinë.
Në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së, Hoxha vlerëson atmosferën shumë pozitive brenda ekipit, duke e cilësuar unitetin dhe lojën kolektive si një nga armët më të forta të Kosovës në këtë fazë vendimtare.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e përkrahjes së tifozëve, duke shtuar se mbështetja nga tribunat i jep skuadrës një motiv shtesë për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të ndjekur ëndrrën e madhe drejt Kupës së Botës.
“Ndjenja është shumë e mirë, por kjo ndeshje tashmë ka kaluar dhe tani fokusi ynë është te ndeshja e radhës kundër Turqisë. Ekipi do të jetë i përgatitur maksimalisht dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur kualifikimin në Kupën e Botës”, ka thënë fillimisht Hoxha.
“Mendoj se kemi një atmosferë shumë të mirë brenda skuadrës. Jemi një ekip shumë i mirë dhe luajmë si një ekip i bashkuar, gjë që është një nga pikat tona më të forta”.
“Kur i ke tifozët pas vetes në stadiumin tënd kjo të jep një shtysë shumë të madhe në ndeshje të tilla. Prandaj, do të japim maksimumin për të fituar këtë ndeshje – për veten tonë, për tifozët dhe për vendon tonë – me synimin që të arrijmë në Kupën e Botës”, përfundoi mesfushori i Kosovës. /Telegrafi/























































