Vazhdon përplasja për Mitrovicën, Haxhiu thotë se PDK po dëshiron ta merr rezultatin në tavolinë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka bërë një reagim sa i përket rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Mitrovicën jugore.
Ajo ka fajësuar PDK-në, duke thënë se po tentohet ta marrin rezultatin në tavolinë, transmeton Telegrafi.
"Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor", thotë Haxhiu.
Tutje, ajo shkroi "Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë".
"Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë. Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë".
Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Faton Peci ka marrë shumicën e votave në Mitrovicë. /Telegrafi

















































